E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Riorganizim i bashkive për t’i dhënë më shumë hapësirë bujqësisë

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me kryetarët e bashkive, për performancën lokale në funksion të vizionit “Shqipëria 2030” dhe rrugës së pandalshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Duke folur për vizionin “Bujqësia 2030”, Rama theksoi se, “ajo që mbetet një sfidë e sfidave është bujqësia vendore, në kuptimin e qeverisjes vendore”.

Rama shprehu besimin se, “është e domosdoshme që të shikohen organigramat me këtë sy dhe që pjesa e bujqësisë në organikën e bashkive të zërë vendin e merituar. Nga 70% në 30% deri në 30% me 70%”.

“Pra, ka bashki në Shqipëri të cilat kanë nevojë të kenë më shumë vëmendje dhe më shumë theks dhe më shumë dije për bujqësinë dhe për fshatin sesa për qendrën e vogël të qytetit. Dhe kanë nevojë të kenë shumë më tepër forca që merren me bujqësinë dhe me fshatin sesa merren me punët komunale të qytetit”, tha Rama.

Në këtë drejtim, theksoi kreu i qeverisë, “duhet parë gjithë riorganizimi”.

“Departamentet e bujqësisë dhe të fshatit në drejtoritë e bujqësitë dhe fshatit në bashki duhet të jenë shumë të artikuluara dhe patjetër që dhe drejtimi i bashkisë duhet ndarë midis nën/kryetarëve që merren me çështjet urbane dhe atyre që merren me çështjet rurale, është e domosdoshme”, tha Rama.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›