Rama: Rritje page deri në 5,17% për mbi 36 mijë punonjës të sistemit arsimor

TIRANË, 1 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se 36 390 punonjës të sistemit arsimor do të përfitojnë një rritje page që shkon nga 4% deri në 5,17%.
Në nisje të podkastit “Flasim”, kryeministri Rama foli për vendimin e fundit të qeverisë, i cili lidhet drejtpërdrejt me një nga shtyllat kryesore të jetës së vendit dhe që ka të bëjë në mënyrë të pazgjidhshme me mirërritjen e fëmijëve, që është arsimi.
Rama theksoi se nga 1 janari, hyri në fuqi indeksimi me 2,5% i pagës bruto dhe për të gjithë punonjësit mësimorë dhe jomësimorë të arsimit parauniversitar, që nuk është vetëm kaq.
“Për kategoritë me pagë nga 58 mijë deri në 74 mijë lekë në muaj, aplikohet dhe një shtesë tjetër prej 3 mijë lekësh, që do të thotë që rritja e përgjithshme për këto kategori, arrin nga 4% deri në 5,17%”, u shpreh Rama.
Indeksimi i pagave, sipas kryeministrit Rama, është një risi në buxhetin e shtetit shqiptar.
“Nuk janë vetëm mësuesit, që përfitojnë nga ky indeksim gjë që ndodhte deri dje, vetëm për pensionistët, sepse ato ishin dje mundësitë. Sot, kjo Shqipëri ka mundësi të reja dhe siç e kam thënë sa herë ne të rrisim mundësitë, duke rritur ekonominë, aq herë rritja e mundësive do të kthehet në diçka e prekshme për njerëzit”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se rritja është e prekshme aktualisht për 36 390 punonjës të sistemit arsimor.
“Janë 30 mijë punonjës në arsimin parauniversitar; 1500 në arsimin profesional dhe 4890 në arsimin parashkollor dhe në konvikte”, bëri të ditur Rama.
Me një efekt financiar të konsiderueshëm për buxhetin e shtetit, Kryeministri theksoi se ky vendim është tërësisht i merituar për njerëzit që përfitojnë dhe nuk është një shifër në tabelë.
“Është një mesazh i qartë se tanimë nuk jemi më në kohën kur duhet pritur me vite për të parë një rritje sado simbolike page, po jemi në kohën që rrisim ekonominë, rrisim mundësitë dhe rrisim aftësinë rishpërndarëse të shtetit. Dhe është një mesazh për punën e mësuesit, për punën e edukatorit, psikologut, punonjësit social dhe çdo punonjës të sistemit arsimor, se ne jemi pranë tyre dhe do të vazhdojmë të mbështesim sa herë të kemi një mundësi, ajo mundësi e re do të jetë një mundësi për ta, për rritjen e mirëqenies së tyre”, tha Rama.
/m.m/r.e/