E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Saliu dhe Jozefina mbyllën Parlamentin për të mbyllur gojën e opozitës”



Eljona Ballhysa
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka akuzuar dje kryeministrin dhe kryetaren e Kuvendit për shtyrjen e seancës parlamentare të ditës së djeshme. Sipas Ramës, pezullimi i punës së Kuvendit tregon se maxhoranca kërkon që t’i mbyllë gojën opozitës në një moment që ai ka gati projektin për shpëtimin e zonave të përmbytura. Më tej Rama ka dhënë detaje për mënyrën e investimit dhe ndërhyrjes në mënyrë që të mos përsëriten në të ardhmen situata të tilla përmbytjeje. Sipas kryesocialistit, projekti i PS-së, që parashikon ndryshimin e buxhetit të shtetit për vitin 2011, kap një shifër prej 13.02 miliardë lekësh.
Akuzat
“Sot, Saliu dhe Jozefina mbyllën Parlamentin për të mos u përballur me propozimin e opozitës. Por faji i qeverisë për përmbytjen e Shqipërisë, që nga Shkodra deri në Vlorë, nuk mbulohet duke fikur dritat e sallës së Parlamentit. Të gjithë e kanë kuptuar se kjo qeveri i ka lënë në baltë. Shqipëria e tërë po zhytet përditë në baltën e keqqeverisjes dhe mbyllja e Parlamentit sot është shprehje kuptimplotë e kësaj zhytjeje”, - është shprehur Rama. Sipas tij, Parlamenti nuk duhej të ishte mbyllur, por duhet të kishte shqyrtuar propozimin e opozitës për t’u ardhur në ndihmë banorëve në zonat e përmbytura. “Sot Parlamenti duhet të diskutonte për ç’duhet bërë që përmbytjet të mos përsëriten dhe që rikënetëzimi i Shqipërisë të ndalet e pastaj të zmbrapset deri në fund duke rikthyer shpresën, duke i dhënë krahë fshatit të këputur nga varfëria, duke nxitur drejt nivelesh e standardesh europiane prodhimin bujqësor e blegtoral. Sot opozita ishte bërë gati të mbronte në Parlament, përpara shqiptarëve, propozimin e saj për të ndalur përmbytjet dhe të kërkohet prej qeverisë adoptimin e një plani konkret, masiv, radikal, ndërhyrjesh në legjislacion e në territor për mbrojtjen e vendit e të njerëzve nga përmbytjet plotësisht të shmangshme si këto e fundit. Por Saliu dhe Jozefina mbyllën Parlamentin për të mbyllur gojën e opozitës, duke lënë hapur rrugën e përmbytjeve të radhës dhe demonstruar hapur se nuk kanë asnjë vizion, asnjë program”, - është shprehur Rama.
Plani
Megjithatë, ai tha se opozita do të vazhdojë të këmbëngulë në propozimet e saj, duke u rënë kambanave në mënyrë që të merren sa më shpejt masat që kjo situatë të mos përsëritet. “Së pari i duhet dhënë fund lojës me fate e njerëzve e të prodhimit në gjithë Ultësirën e Shkodrës, duke grumbulluar ujë në liqenet e hidrocentraleve, pa llogaritur dëmet në rastet e shkatërrimit të tyre. Ilir Meta, si ministër Ekonomie, duhet të japë llogari për këtë lojë që përsëri e përmbyti, madje më keq se asnjëherë, Ultësirën veriperëndimore”, - është shprehur Rama, i cili ngriti dyshime edhe për çmimin e shitjes së energjisë elektrike nga KESH-i, që sipas tij është një manovër që mban erë shumë të keqe. “Së dyti duhen ngritur me urgjencë dhe me bashkëpunim ndërkombëtar struktura shkencore të analizës, studimit e monitorimit të krejt sistemit të mbrojtjes së Shqipërisë nga përmbytjet dhe të menaxhimit të ujërave, si një pasuri e jo fatkeqësi kombëtare. Së treti, duhet të ndërhyhet në legjislacion për moratoriume në mbrojtje të pyjeve e lumenjve, si dhe për masa drastike ndëshkimi për çdo akt që sjell dëmtimin e mëtejshëm të tyre. Por, të gjitha këto nuk do të sillnin asnjë ndryshim të prekshëm të gjendjes në rast se nuk organizohet dhe realizohet një operacion radikal rehabilitues i të gjithë infrastrukturës së kullimit të ujërave e të mbrojtjes prej tyre”, - është shprehur kryesocialisti, ndërsa u ndal në kërkesën kryesore që është ajo për rishikimin e buxhetit. “Propozimi ynë parashikon që fondet e caktuara në buxhetin 2011 për shpenzime kapitale të rishpërndahen pikërisht për këtë operacion që duhet të prekë: Shkodrën, Lezhën, Laçin, Fushë-Krujën, Durrësin, Elbasanin, Korçën, Fierin, Beratin, Vlorën dhe Gjirokastrën. Të gjitha këto qytete dhe zona, rrethe dhe qarqe, janë prekur drejtpërdrejt ose jo nga përmbytjet që lidhen jo me reshje të papërballueshme të shiut, por me shkatërrimin të mbrojtjes nga ujërat dhe të kullimit e menaxhimit të ujërave.
Totali prej 13.02 miliardë lekësh garanton suksesin e këtij operacioni të organizuar dhe të realizuar gjatë gjithë vitit të ardhshëm dhe hap një fazë të shumëvonuar të rindërtimit të plotë të themeleve të shkatërruara të territorit të këtij vendi, duke parandaluar çdo përmbytje në nivelin e reshjeve të këtij viti apo edhe më shumë se ky nivel”, - është shprehur kreu i PS-së. Ai bëri të ditur se ky plan është diskutuar gjerësisht me ekspertë të fushës. Në përfundim Rama theksoi se “dëmshpërblimi i banorëve të zonave të përmbytura është detyrim ligjor i pashmangshëm të cilin qeveria do apo nuk do, e merr apo nuk e merr përsipër me fjalë, duhet ta realizojë me vepra. Sepse ata njerëz kanë të gjithë të drejtën e zotit dhe të ligjit që ta kërkojnë këtë pasi ajo që ju ka ndodhur nuk ju ka ndodhur për shkak tjetër përveçse keqqeverisjes”.

Shtyrja e seancës, Kuvendi: Vendimi u mor me konsensusin e PS-së

Fill pas deklaratës së Ramës për shtyrjen e seancës së djeshme parlamentare, ka reaguar dje zyra për shtyp e Kuvendit. Në një njoftim për mediat bëhet e ditur se vendimi për të shtyrë seancën e radhës parlamentare që duhej të ishte mbajtur dje, është marrë në konsensus me Partinë Socialiste. Më tej bëhet e ditur se PS-ja nuk ka depozituar në Kuvend asnjë projekt për zonat e përmbytura për të cilin mund të diskutohej. “Zoti Rama, siç e ka zakon, edhe kësaj radhe nuk ka sjellë në Kuvend asnjë ofertë, asnjë dokument apo shkresë, siç e parashikojnë procedurat parlamentare dhe Rregullorja e Kuvendit, në lidhje me situatën e fatkeqësisë natyrore. Për rrjedhojë, në Kuvend nuk ka asgjë për të diskutuar lidhur me këtë kërkesë të Partisë Socialiste. Spekulimet që zoti Rama bëri edhe sot si dhe në ditët më parë, në këto kohë të vështira të fatkeqësisë natyrore në qarkun e Shkodrës, janë së paku joserioze. Në Konferencën e fundit të Kryetarëve është diskutuar dhe rënë dakord paraprakisht për mundësinë e shtyrjes së seancës së ditës së enjte për shkak të situatës së fatkeqësisë natyrore. Në këtë konferencë ishin prezent përfaqësuesit e Partisë Socialiste, të cilët, ndryshe nga zoti Rama, dhanë mirëkuptimin e tyre për mundësinë e shtyrjes së seancës plenare dhe treguan më shumë ndjeshmëri ndaj fatkeqësisë natyrore”, - bëhet e ditur nga Kuvendi. Por ky sqarim i Kuvendit është hedhur poshtë dje nga deputeti i Partisë Socialiste, Saimir Tahiri. Në një deklarate për mediat, Tahiri tha dje se nuk është zhvilluar asnjë mbledhje e Konferencës së Kryetareve që të ketë vendosur për shtyrjen e seancës së ditës së djeshme. “Sqarojmë opinionin publik se Konferenca e Kryetarëve për të vendosur në do të bëhet seancë parlamentare apo jo sot, nuk është zhvilluar fare. Është e qartë për të gjithë se sot dyert e Parlamentit janë mbyllur për deputetët po ashtu siç janë mbyllur dyert e Europës për shqiptarët, për shkak të papërgjegjshmërisë dhe keqqeverisjes së pushtetit të Sali Berishës dhe Jozefina Topallit dhe për shkak të vullnetit të tyre për të përmbytur Shqipërinë dhe shqiptarët jo vetëm me ujin e baltën e korrupsionit, por edhe me mungesën e kurajës për t’u përballur me kërkesat legjitime të opozitës dhe të shqiptarëve”, - është shprehur Tahiri.

SHBA-të: Korrupsioni dhe mosmarrëveshjet
politike kanë dëmtuar përparimin e Shqipërisë

“Ngërçi politik e ka penguar Shqipërinë të zbatojë reforma të rëndësishme në një numër fushash kyçe”

Komisioni për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë i Kongresit Amerikan, që njihet edhe si Komisioni amerikan i Helsinkit, zhvilloi një seancë dëgjimore për të diskutuar rreth përparimit që është bërë në 7 vende të Ballkanit Perëndimor dhe sfidat me të cilat përballen këto vende në të ardhmen. Zv.ndihmëssekretari i Shtetit për çështjet europiane dhe të Euro-Azisë, Tom Kantrimen, tha se Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara për përparimin e këtyre vendeve, por në fund të fundit, theksoi ai, përgjegjësia për zgjidhjen e sfidave të mbetura bie mbi secilin nga këto vende dhe udhëheqësit e tyre. Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Kroacia dhe Bosnjë-Hercegovina kanë shënuar përparim drejt integrimeve euroatlantike. Sipas folësve në seancë, perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Europian është një prej motiveve më të forta të mundshme për t’i dhënë shtytje përparimit të deritanishëm në Ballkan. Zv.ndihmëssekretari i Shtetit, Tom Kantrimen, tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin pranimin në BE të të gjitha vendeve të rajonit. Ai vuri në dukje se gjatë 10 vjetëve të fundit janë vërë re shenja inkurajuese në zhvillimin politik dhe ekonomik në rajon. Me gjithë përparimin e bërë, tha zoti Kantrimen, ende ekzistojnë sfida serioze. Çështja më e rëndësishme për këto 7 vende, theksoi ai, që ndikon në anëtarësimin e tyre në institucionet euroatlantike është përkushtimi për vendosjen e shtetit juridik.
Shqipëria
Lidhur me Shqipërinë, zoti Kantrimen tha se vendi vazhdon të bëjë përparim të mirë drejt integrimit të plotë në institucionet euroatlantike, duke shtuar se sfidat mbeten të shumta. “Por ky përparim i Shqipërisë është dëmtuar nga korrupsioni dhe mosmarrëveshjet politike, përfshirë bojkotimin e Parlamentit nga opozita. Mosmarrëveshje të tilla nuk u shërbejnë interesave të popullit shqiptar dhe duhet të marrin fund”, - tha ai. Zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit theksoi se pikërisht këto mosmarrëveshje politike ishin një prej arsyeve, të cituara nga Bashkimi Europian, që Shqipërisë iu mohua muajin e kaluar dhënia e statusit kandidat për në BE. Mbërthimi në këtë ngërç politik e ka penguar Shqipërinë të zbatojë reforma të rëndësishme në një numër fushash kyçe për procesin e anëtarësimit. Zoti Kantrimen tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin qëndrimin e BE-së, që këto reforma të zbatohen, madje do ta ndihmojnë qeverinë shqiptare jo vetëm për ta ndihmuar Shqipërinë të anëtarësohet në BE, por sepse ato janë qenësore për mbarëvajtjen afatgjatë të demokracisë në vend. Si zv.ndihmëssekretari i Shtetit Kantrimen, edhe anëtarë të Kongresit Amerikan theksuan nevojën e vazhdimit të mbështetjes amerikane për avancimin e demokracisë në 7 vendet në fjalë të Ballkanit Perëndimor.

10 Dhjetor 2010

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›