Rama: Shkolla Hoteleri-Turizëm, dëshmi e ndryshimit cilësor të arsimit profesional

TIRANË, 10 prill/ATSH/ Arsimi profesional në sektorin e Hoteleri-Turizmit ka potencial të madh për të zhvilluar turizmin, duke sjellë përfitime të shumta.
Gjithnjë e më shumë ai po shihet si faktor në mbështetje të biznesit dhe zhvillimit ekonomik.
Falë bashkëpunimit me partnerë të rëndësishëm si shkolla zvicerane École hôtelière de Lausanne, nxënësit e Hoteleri-Turizëm zhvillojnë praktikën profesionale në ambiente pune, krijojnë lidhje me profesionistë të fushës dhe punësohen nga bankat e shkollës.
Kryeministri Edi Rama përcolli sot dëshminë e dy nxënësve të kësaj shkolle, të cilët treguan përfitimet e ndjekjes së arsimit profesional.
“Njihuni me brezin e parë të nxënësve të shkollës profesionale Hoteleri-Turizëm që po studiojnë përmes programit të shkollës zvicerane École hôtelière de Lausanne. Ata janë dëshmia e ndryshimit cilësor të arsimit profesional: kurrikul moderne, praktika cilësore dhe mësues të certifikuar nga ekspertë ndërkombëtarë”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se brezi i parë i studentëve të certifikuar do t’i bashkohet tregut të punës brenda vitit 2027, të përgatitur sipas standardeve më të larta.
Romina nxënëse e shkollës Hoteleri-Turizëm tregoi se edhe pse ishte fillimisht skeptike tani është plotësisht e bindur se kjo ishte zgjedhja e duhur.
“Programi parashikon që mësimin e bëjmë në anglisht, mësojmë edhe gjuhën ashtu siç duhet. Bëjmë fillimisht teori dhe pastaj praktikën në kuzhinë që të shohim se sa e kemi përvetësuar recetën apo gatimin që kemi për të bërë”, tha ajo.
Ndërsa Flavio u shpreh se pas përfundimit të shollës Hoteleri-Turizëm ka më shumë avantazhe sepse marrin dy diploma, të gjimnazit të përgjithshëm dhe të arsimit profesional. /j.p/