E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Shtëpia e Europës në Tiranë ku sot ka zbritur e gjithë Europa

TIRANË, 16 maj/ATSH/ Shqipëria mikpret sot Samitin e Komunitetit Politik Evropian, që ka mbledhur në Tiranë liderët e vendeve evropiane.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga përgatitjet e fundit që po kryhen në Shtëpinë e Europës, një strukturë e krijuar enkas për këtë event tek hapësira e gjelbër nën monumentin e Skënderbeut.

E vendosur pas monumentit të heroit tonë kombëtar, në “Shtëpinë e Europës” do të mblidhen kryetarë shtetesh dhe qeverish së bashku me krerët e institucioneve kryesore evropiane dhe ndërkombëtare, pjesëmarrës në këtë samit të rëndësishëm.

“Me Shtëpinë e Europës, krijuar me vizatimet e fëmijëve të Shqipërisë, ku sot ka zbritur e gjithë Europa e ku do të mbajë sytë e gjithë bota,” shprehet Rama krahas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale.

Samiti i Komunitetit Politik Evropian ka mbedhur sot në Tiranë kryetarë shtetesh dhe qeverish së bashku me krerët e institucioneve kryesore evropiane dhe ndërkombëtare.

Në fokus të tij do të jenë katër tema të rëndësishme që do të zhvillohen në tryeza të nivelit të lartë: Siguria dhe qëndrueshmëria demokratike; fuqizimi i konkurrencës dhe sigurisë ekonomike; migrimi, lëvizshmëria dhe fuqizimi i rinisë; vizioni, lidershipi, mënyrat e reja të veprimit për Europën në një botë të re.

Roli i Shqipërisë si mikpritëse pasqyron thellimin e vokacionit europian të vendit dhe kontributin e saj për stabilitetin rajonal dhe kontinental. Si një anëtare e NATO-s, vend kandidat për në BE dhe zë aktiv në bashkëpunimin rajonal, Shqipëria është e pozicionuar në mënyrë unike për të organizuar  një dialog të rëndësishëm në një moment kur Evropa duhet të flasë dhe të veprojë me më shumë kohezion.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›