E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Sistem i besueshëm rekrutimi dhe karriere për inspektorët

TIRANË, 13 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama nënvizoi sot dosmodoshmërinë e një sistemi rekrutimi dhe karriere për inspektorët.

Në takimin me drejtuesit e inspektorateve, me praninë e ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj dhe kryeinspektorin e përgjithshëm Dashnor Sula, Rama tha se duhet të nisë një fazë e re e reformës së sistemit të inspektimeve.

“Kemi kaluar 30 e kusur vite në këtë proces, tani jemi në kushtet kur mund themi: siç kemi bërë me Doganën, ku ka një stabilitet të konsoliduar, pavarësisht problematikave që mund të ketë, siç po bëjmë me Shërbimin Civil ku nuk mund të hysh pa konkurs, pa kohën e provës, se ke edhe një garanci që nuk mund të të heqin dot nga puna se kështu i teket njërit apo tjetrit, duhet të jetë edhe me inspektorët”, tha Rama, ndërsa theksoi se kjo kërkon trajnim të detyrueshëm, standard etik të unifikuar dhe kërkon që sistemi i rekrutimit dhe i karrierës të jetë i besueshëm.

Rama tha se i duhet dhënë mundësia për të punuar dikujt, që të jetë i patrazuar nga frika se do lëvizë, po nga ana tjetër dhe ta meritojë atë gjë që i jepet.

Sipas kreut të ekzekutivit, aktualisht ka një numër shumë të lartë inspektimesh, të cilin Rama e etiketoi si “katastrofik”.

“Sistemi duhet të bazohet tek inspektime që kanë të gjitha së bashku sensin e frikës që ruan vreshtin, në kuptimin e mirë të fjalës, dhe aty ku bëhen shembuj, një shembull duhet të vlejë për shumë të tjerë. Jo inspektime në pafundësi që nuk vlejnë për asgjë, krijojnë tension, stres, rrëmujë”, tha Rama.

“Format e inspektimit duhet të bazohen të risku, ku është risku dhe çfarë kërkojmë të arrijmë. Harmonizimi me Tatimet është shumë i rëndësishëm, pasi Tatimet kanë proceset e tyre, por edhe ato nuk duhet të jenë të mbivendosura. Duhet të ketë një sens të qartë racionalizimi”, pohoi Rama.

/e.i/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›