Rama: S’ka pasur kurrë më parë hetime ndaj zyrtarëve të lartë, ashtu si sot. Drejtësia e ka vetë shpatën

Kryeministri dhe njëherësh kreu i Partisë Socialiste Edi Rama deklaroi se Shqipëria nuk ka pasur më parë si sot hetime ndaj zyrtarëve të lartë.
Duke folur në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste në njësinë numër 7, Rama tha se drejtësia duhet të jetë e pavarur dhe duhet të veprojë pavarësisht se kush është kush.
“Drejtësia duhet të jetë e pavarur, pra shpatën e ka vetë; duhet të jetë e paanshme, pra sytë t’i ketë mbyllur. Nuk ka rëndësi kush është kush, rëndësi ka të dalë e drejta dhe duhet të jetë e balancuar për t’i peshuar të gjitha.
Por nuk ka pasur Shqipëria ndonjëherë përpara kësaj periudhe hetime të zyrtarëve të lartë, ngritje akuzash, etj. Shqipëria ka pasur qeveri që nga 1912, apo akoma sot Shqipëria ka nevojë ta përmirësojë të gjithë sistemin e pushtetit dhe të ekzekutivit, edhe pse është 100 e ca vjeçare. Institucionet e reja të drejtësisë janë pesëvjeçare, gjashtëvjeçare, shtatëvjeçare. Nuk mund të presësh që të veprojnë në çdo rast si autoritet i pagabueshëm. Dhe kjo është situata”, u shpreh Rama.
Ai vuri në dukje se historia do të tregojë se historia do ta tregojë një gjë të tillë se sa e vlefshme ka qenë reforma në drejtësi.
“Dhe ne duhet të jemi shumë, shumë të vendosur në këtë, por dhe njëkohësisht duhet të jemi shumë të qartë se këto janë meritat tona të padiskutueshme.
Historia do t’i thotë shumë qartë këto. E sotmja mund t’i ngatërrojë. Dhe kush nuk informohet si duhet, mund të ngatërrohet shumë shpejt duke dëgjuar lloj-lloj xhabulanësh që shfaqen nga mëngjesi deri në darkë në të gjitha llojet e tenxhereve, nga tenxheret e bulevardit tek ato çafçufet e portaleve”, nënvizoi Rama.
Kryeministri shpjegoi edhe se i është depolitizuar administrata publike.
“Duhet të jemi të sigurt që askush këtu nuk po krijon mendimin që unë jam i lumtur edhe që gjithçka po shkon mirë dhe që problemet s’ka, jo fare, fare. Të jesh socialist, thoshte Pandeli Majko, të cilin e përshëndes, është e barabartë me të jesh i pakënaqur. Unë duhet të jem më i pakënaquri nga të gjithë. Jam i pakënaqur sepse shumë gjëra mund të bëhen më mirë, shumë gjëra mund të bëhen më shpejt. E kam thënë, nuk është sekret. Ja kemi hequr duart partisë nga mësuesit. Kur ne e morëm detyrën, edhe drejtorët e policisë vendoseshin me politikë. Edhe çdo mësues, çdo infermier vendosej me politikë. Ishin bërë mësues si lecka, që i hidhnin nga njëra anë në tjetrën. Nuk bëhej fjalë që çdo polic të caktohej me politikë. Ja hoqëm mësuesit, ja hoqëm mjekët, ja hoqëm infermierët, ja hoqëm në një pjesë shumë të madhe administratën publike, shërbimin civil të partisë”, shtoi më tej Rama.
/rtsh.al/