Rama: Të rishikohen qiratë e tokës për pemëtaritë, të studiohet çështja e një pakete blegtorale

TIRANË, 2 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama në fjalën përmbyllëse pas diskutimeve të Ditës së Parë të Dialogut për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural mes fermerëve dhe sipërmarrësve në bujqësi për një urë të re komunikimi në funksion të rrugës së anëtarësimit të Shqipërisë 2030 në BE, nënvizoi sot se duhet të rishikohet qiratë e tokës prodhuese për pemëtari.
“Tjetra, që është shumë e qartë, është çështja e qirave të tokës prodhuese. Kemi në fakt dy lloj qirash që kërkojnë një adresim të ri: qiratë e tokës prodhuese për pemëtari duhet të rishikohen në funksion të mosngarkimit me një barrë financiare të papërballueshme për fermerët në periudhën e parë, kur dihet shumë mirë që pemët nuk japin prodhim”, tha Rama.
Kreu i qeverisë kritikoi edhe strukturat vendore për sjelljen në raport me blegtorët për sa u përket qirave të kullotave. Sipas Ramës, blegtorët përballen me burokraci në nivelin vendor, që duhet të ndryshojë patjetër.
“Është e tmerrshme të dëgjosh eksperiencat e blegtorëve për qiratë e kullotave. Kjo është diçka e papranueshme, është skandaloze dhe qasja dhe sjellja e strukturave vendore në raport me kullotat është tërësisht e pajustifikueshme.
Përveç mundit dhe përpjekje të jashtëzakonshme që duhet të bëjnë blegtorët në kushtet e një sektori që ka shumë probleme, duhet të përballojnë edhe stresin e tepërt, të kotë, skandaloz, të burokracive në nivelin vendor. Këtë duhet ta ndryshojmë patjetër dhe duhet ta ndryshojmë menjëherë! Ne duhet t’u lutemi blegtorëve dhe jo të luten blegtorët për të marrë atë kontratën e kullotës. Duhet të studiohet çështja e një pakete blegtorale dhe të ftojmë blegtorët që të jenë të pranishëm në Çajup, kur ta kemi gati për ta lancuar paketën dhe për ta bërë konkrete”, tha Rama.
/m.q//r.e//a.f/