E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Vendimet e gjykatave që mbrojnë ndërtimet pa leje janë të patolerueshme

TIRANË, 3 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama i konsideroi sot të patolerueshme vendimet e disa gjyqtarëve në raport me ndërtimet pa leje.

I pyetur nga gazetarët nëse reagimet e tij në këto raste mund të quhen shkelje e pavarësisë së gjyqësorit, Rama tha se “i kemi dhënë gjyqësorit pavarësinë që nuk e ka pasur që nga viti 1912”.

“Unë jam marrë me ta dhe do të merrem prapë me ta për një çështje të interesit publik, jo për një çështje të lidhur me ndonjë individ. Është një çështje edhe personale, sepse ata të Unionit janë ata që shkojnë në Gjykatë Kushtetuese dhe kërkojnë rritje pagash në mënyrë të vazhdueshme. Prapë kanë kërkuar, sepse u bë rritje pagash dhe u tejkalua skema natyrale e çdo shteti, e piramidës së pagave vetëm për një arsye, për t’i dhënë fuqi gjykatësve dhe prokurorëve në funksion të reformës në drejtësi”, tha Rama.

Rama tha se kjo u bë që gjyqtarët e prokurorët të ndiheshin të mbështetur dhe të pavarur.

“Janë më të mirëpaguarit në rajon, por kjo nuk do të thotë që në historinë e këtij vendi ata do të vazhdojnë të jenë mbi Presidentin e Republikës”, tha Rama.

Duke sjellë në vëmendje një rast konkret, Rama tha se qytetarët kanë denoncuar pasi masa e sigurisë e marrë nga gjykatësi ishte për një godinë ku familjet kalonin përmes lokalit që të çonin fëmijët në shkollë.

“Çfarë t’i them unë atyre familjeve? T’i them se nuk e keni nga unë dhe qeveria këtë gjë, ndërkohë që qytetarët që ma dhanë mua votën për 83 mandate të vazhdojnë të rrinë me atë zaptuesin atje që gjykatësi pa asnjë lloj lidhje merr masë sigurie në orën 8 të mëngjesit për një ndërtim pa leje. Çfarë do të gjykojë gjykata për ndërtim pa leje?”, tha Rama.

Kryeministri sqaroi se arsyeja e vetme e reagimit të tij në këtë rast është se jo vetëm është për interesin publik, por është edhe personale në raport me qytetarët dhe dinjitetin e qeverisë.

“Qytetarët duhet ta dinë se aty ku nuk hiqet ndërtimi pa leje nuk është qeveria, nuk është bashkia, inspektorati, por është ky (gjykatësi) me emër dhe mbiemër. Nuk është normale, por është e vetmja mënyrë që unë kam gjetur. Çfarë të pres, Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë që amniston në tavolinë Gjelin e Thethit, gjënë më flagrante?! Shpall mosfillimin e çështjes pa i hyrë fare akteve”, tha Rama.

Kryeministri siguroi se do të reagojë sa herë që shkelin popullin. “Jo politikanët, pasi kam rezerva për shumë gjëra që bëjnë këta dhe nuk flas. Dalin e shkelin popullin. I paguan ky popull ata si frëngu pulën. I kemi dhënë pavarësinë që nuk e kanë pasur që nga viti 1912. Nëse kjo që bëj unë nuk është normale, ajo tjetra që bëjnë ata është kriminale”, shtoi Rama.

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›