E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Vrenozit i takon kapelja e Bufit, pas 11 majit edhe froni i mbretit të kënetës

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj deklaratave të Ilir Vrenozit në takimin elektoral ku u prezantuan kandidatët për deputetë të koalicionit “PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore” në qarkun e Korçës.

“Po pse kot e thashë unë që Vrenozi është 1-shi i vërtetë i PD-së? Shikojeni se si e shpërthen ai një sallë të tërë me sharjet e tij ekstreme e me thirrjet ndaj fantazisë erotike të audiencës fanatike, që ta kuptoni deri në fund se çfarë kënete është PD-ja!”, shkroi Rama në rrjetet sociale.

“Bufi as në ëndërr s’e kap dot më atë nivel ekzaltimi të turmës së habitatit të tij të lashtë. Për mua Vrenozit i takon kapelja e Bufit deri në 11 maj dhe pas 11 majit edhe froni i mbretit të kënetës. Po ju si mendoni?”, theksoi Rama.

Në takimin e kreut të PD, Sali Berisha, në Korçë, ku prezantoi kandidatët e PD-ASHM, mori fjalën edhe korçari demokrat Ilir Vrenozi.

Vrenozi u shpreh se, kryeministi Edi Rama donte edhe atë, dhe u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve më 11 maj të votojnë numrin 1.

“Më 11 maj Shqipëria përsëri do të buzëqeshë. Do të lindë një shpresë e re, një pranverë e madhe. E besoj ma ndjen shpirti këtë ndryshim. E them si një njeri i thjeshtë, i varfër si qindra-mijëra të tjerë”, tha Vrenozi ndër të tjera.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›