Rama: Zgjidhja e çështjes së pronës sfidë komplekse, teknologjia bekim për procesin

TIRANË, 26 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendje disa nga sfidat me të cilat përballet vendi për zgjidhjen e çështjes së pronave, që përbën po ashtu një çështje me rëndësi në procesin e avancimit drejt Bashkimit Europian.
Rama iu adresua sot me një fjalë konferencës rajonale me temë: “Nga Prona te Progresi”, ku morën pjesë përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Duke folur mbi transformimin digjital, Rama u shpreh se “për vende si i yni, teknologjia e re na ka sjellë bekim të vërtetë, se na ka lejuar të bëjmë hapa të pamundur dhe ta shohim të ardhmen me një frymë tjetër”.
Lidhur me problematikën e pronave në Shqipëri, Kryeministri theksoi se “Shqipëria është ndoshta vendi i vetëm në rajon ku të drejtat e pronës kanë qenë nën një trysni kaq të madhe, për shkak të kalimit nga një sistem me pronë totalisht shtetërore në një realitet ku shteti humbi kontrollin mbi territorin pas rënies së komunizmit”.
“Për sa i përket çështjes së komplikuar dhe komplekse të pronave në Shqipëri, nuk ka vend tjetër në këtë rajon ku të drejtat e pronës kanë qenë kaq nën trysni. Gjatë 35 viteve të fundit na është dashur të trajtojmë një material kaq kompleks, saqë është realisht një nga vështirësitë më të thella me të cilat jemi përballur”, u shpreh Rama.
Rama theksoi se ajo që ndodhi me arkivin e pronave në vitin 1990 ishte katastrofë e vërtetë.
“Trashëguam një shtresë tjetër pronësie që ishte shtresa e titujve të falsifikuar. Të zbërthesh këtë është sfidë e vërtetë që ka të bëjë me kompromise shumë të vështira dhe të dhimbshme”, tha Rama.
Rama shprehu bindjen se nuk ka një vend tjetër në rajon ku mund të gjesh vendime gjykatash që i japin ankimuesit më shumë sesa kërkon.
“Na u desh të hartonim një ligj të ri që ishte gjithashtu i komplikuar sepse një vendim që besoj se ishte vendim i mirë dhe ishte një prej pak vendimeve që Parlamenti mori me konsensus në fillim të viteve ’90, për t’i dhënë të gjithë fermerëve një shkresë, një fletë për përdorimin e tokës, u kthye në një rrugë tjetër abuzimi sepse nga përdorimi i tokës, u kthye në përvetësim të tokës dhe kemi parë edhe plazhe të cilat janë përvetësuar në këtë kuadër. Kemi parë det të përvetësuar në këtë mënyrë. Nuk besoj se në përvojën tuaj mund të keni parë diçka të tillë në Kadastrën e një vendi ku ka hartë të detit, parcela në këtë det”, shtoi Rama.
Kryeministri theksoi se për legjislacionin e ri u punua shumë ngushtë me partnerë të përkushtuar dhe u mor drita jeshile nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Megjithatë, sipas tij, “edhe sot e kësaj dite përballemi me probleme, sepse gjyqtarët, disa gjyqtarë kanë vendosur se mund të marrin sot vendime bazuar në ligje të së djeshmes”.
“Pra, ligji i ri në zbatim për kompensimin mund të anashkalohet dhe vendimet e gjykatave që krijojnë barrë të shtuar mbi financat e shtetit, mund të jepen edhe sot. Kështu që situata është e komplikuar. Po bëjmë punën tonë, po punojmë më fort dhe besoj se teknologjia e re po na ndihmon shumë të trajtojmë ato që ndryshe, do të ishte e pamundur të trajtoheshin”, theksoi ai.
Sipas Kryeministrit, teknologjia e re, inteligjenca artificiale mund të bëjmë mrekulli, por gjithashtu mund të të drejtojë tek një ngërç tjetër nëse të dhënat nuk janë të sakta.
“Kjo pra, është një sfidë tjetër që modeleve t’i ushqejmë të dhënat e duhura dhe t’i japim modeleve të gjitha aftësitë që të kthejë si rezultat atë që kërkohet”, shtoi ai.
Lidhur me procesin e integrimit europian, Rama u shpreh se ndërtimi i shtetit europian është realisht një ushtrim i vështirë.
“Është pjesa më e vështirë e procesit të negociatave dhe e procesit tonë për ndërtimin e shtetit, por besoj se pak nga por me siguri, po e rregullojmë situatën edhe me digjitalizimin e plotë – që tashmë është thuajse në përfundim – dhe me “blockchain” që do të përdoret, do të shpëtojmë çka mundemi pas kaq e kaq vitesh, zënësish të të gjitha llojeve të cilët kanë hyrë në pronat tona të paluajtshme”, shtoi ai.
/a.f/r.e/