E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama-“çunave të Londrës” në Kukës: Merrni tokën 1 Euro dhe…

Kryeministri Edi Rama ka shkuar këtë të Mërkurë në Kukës. Ai deklaroi me bindje se ky qark në vitin 2030 do të numërojë plot 1 milion turistë.

“Kukësi ishte i zymtë ku realisht s’kishte asnjë arsye për të ndaluar dhe ku realisht çdo gjë rreth e rrotull të thoshte largohu. Sot padyshim ky është një qytet krejt tjetër. Unë e di që puna jonë nuk ka mbaruar. Dua të siguroj banorët e lagjes 1 dhe 7 se projekti i transformimit do përfundojë.”

Teksa vuri theksin te Paketa e Maleve, pati një thirrje edhe për “çunat e Londrës”.

“Pas zgjedhjeve do fillojmë të fusim në punë Paketën e Maleve e cila është në dispozicion të atyre që duan të investojnë në tokat e të parëve, apo në toka ku bien dakord me pronarët për turizëm, agroturizëm, patjetër edhe për blegtori, agropërpunim, agrobiznes duke bërë disa hapa të thjeshtë. E para toka që është fakt, pra pronari fakti, por që nuk figuron në letra, shkon në bashki dhe depoziton kërkesën që t’i njihet kjo tokë si toka e të parëve të tij. Bashkia e përcjell në Këshillin Bashkiak dhe bën afishimin për 30 ditë. Bashkia bën verifikimin. Në momentin që mbaron 30 ditëshi dhe personat rezultojnë që janë të pa kontestuar, Këshilli Bashkiak i jep vendimin që mund të bëjnë një investim  në tokën e tyre. Me atë vendim, ata bëjnë një projekt dhe në Ministrinë e Ekonomisë bëjnë një kontratë dhe tokën e marrin me 1 Euro, e investojnë. Kur mbaron investimi marrin lejen për ta regjistruar në hipotekë si pronën e tyre. Nëse ndodh që pasi ata e kanë kryer investimin dhe e kanë regjistruar në hipotekë dhe del dikush që i thotë prit se jam unë, ky personi që ankohet nuk ka mundësi t’ju ndërhyjë në atë që kanë bërë, por shteti merr përsipër ta gjykojë dhe ta kompensojë diku tjetër. E di që na dëgjojnë edhe çunat në Londër. Për 500 aplikimet e para, për 10 vjet nuk do paguani asgjë. Thjesht do bëjnë investimin dhe 10 vjet nuk do kenë asnjë taksë për të paguar”, tha kryeministri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›