E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama homazhe në varrin e Papa Françeskut: Mik i paharruar i Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar homazhe në varrin e Papa Françeskut, i cili u nda nga jeta më 21 prill 2025. Gjatë homazheve kryeministri Edi Rama ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda Rama dhe i biri Zaho, të cilët kanë lënë mbi varrin e tij trëndafila të bardhë.

Pas homazheve, Rama e ka cilësuar Papa Françeskun si një mik të paharruar të shqiptarëve, i cili gjithmonë dërgonte lutje për popullin tonë.

“Homazhi në varrin e Papa Françeskut, mik i paharruar i Shqipërisë dhe i familjes sonë, që nuk harronte kurrë të lutej për popullin tonë e të na dërgonte mesazhet e tij të miqësisë, ishte një çast i veçantë i vizitës në Selinë e Shenjtë”, shkruan Rama.

Më herët kryeministri Edi Rama u prit në takim në Pallatin Apostolik nga Papa Leoni XIV, ku në qendër të diskutimeve ishin çështje rajonale, përfshirë situatën në Ballkanin Perëndimor dhe rrugën e Shqipërisë drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›