E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama i çon Begajt vakancën e Tiranës! Ankimimi i Veliajt, Kushtetuesja: Shpallja, e barazvlefshme me njoftimin publik

Një ditë pas depozitimit në Gjykatën Kushtetuese të ankimimit të Erion Veliajt që kundërshton shkarkimin nga këshilli i Ministrave, kreu i qeverisë ka vijuar me procedurën për zgjedhjet e pjesshme teksa ka dërguar në Presidencë vakancën për bashkinë e Tiranës dhe pesë bashkitë e tjera.

E pyetur nga Vizion Plus nëse njoftimi i Presidencës i hap rrugë zgjedhjeve në kryeqytet, Kushtetuesja jep këtë sqarim: Gjykata ka bërë publikimin e regjistrimit të kërkesës. Shpallja është e barazvlefshme me njoftimin publik.

Tashmë, Presidenti Bajram Begaj ka 48 orë kohë për të vendosur nëse do të zhvillohen zgjedhje për kryetarin e ri të bashkisë në Tiranë apo nëse kjo bashki nuk do të përfshihet, deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Kryeministri Edi Rama njoftoi në Asamblenë e Partisë Socialiste të 11 shtatorit, nevojën për zgjedhje vendore në Tiranë teksa shpalli dhe Ogerta Manastirliun si kandidate për bashkinë e kryeqytetit.

Më pas, ishte anëtarësia socialiste e Këshillit Bashkiak që kërkoi shkarkimin e Veliajt, me pretendimin e mungesës mbi më shumë se tri muaj në detyrë. Vendimi i Këshillit Bashkiak u pasua me shkarkimin e Veliajt nga qeveria.

Erion Veliaj u arrestua në datën 10 shkurt me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme lidhur me akuzat për pastrim parash, fshehje pasurie dhe korrupsion.

Por përpos Tiranës, qytetarët e Vlorës, Beratit, Tepelenës, Matit dhe Cërrikut do ti drejtohen gjithashtu kutive të votimit, pasi edhe këto bashki prej muajsh tashmë janë pa kryetar./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›