E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama inspekton Spitalin e ri Rajonal të Lezhës: Në qershor rregullojmë statusin e specialistëve të urgjencës

Kryeministri Edi Rama ka inspektuar mjediset e reja të Spitalit Rajonal të Lezhës, ku parashtroi shqetësimin e ngritur nga mjekët për mosbarazinë mes specialistëve dhe mjekëve të urgjencës.

Ai bëri me dije se ky problem do të zgjidhet në qershor me ndryshimet që do të bëhen në buxhet, duke përfshirë mjekët e urgjencës në kategorinë e specialistëve dhe duke siguruar një pagë dinjitoze për ta.

“Morëm një ankesë pse nuk barazohen mjekët e urgjencës me mjekët specialistët. Urgjenca është specialitet më vete, gjithë ato misione shpëtimi, strese. Problemi lindi ngaqë ka filluar të konstatohet se nuk ka shumë kërkesa për mjekë urgjence krahasimisht me të tjerët. Nëse tjetri do shkojë në atë front jo të lehtë dhe do trajtohet si mjek i përgjithshëm pa specialitet, është e padrejtë. Vetvetiu thotë jo, do shkoj të specializohem diku tjetër.

Ramë dakord që do zgjidhet në qershor me ndryshimet që bëhen në buxhet, do i përfshijmë në kategorinë e mjekëve specialistë si mjekë të urgjencës në mënyrë që të kenë një pagë dinjitoze”, deklaroi Rama.

Ky i fundit u ndal dhe te rritja e pagave për mjekët, duke deklaruar se u mundësua falë rritjes ekonomike. Ai shtoi se tashmë është garantuar një realitet i ri për rreth 22 mijë mjekë, infermierë e staf mjekësor në të gjithë vendin.

“Rritja e pagave ka qenë domethënëse për shkak se rritja e ekonomisë ka qenë e tillë. Plus indeksimit dhe vjetërsisë në punë tashmë. Do e shtrijmë te të gjithë”, tha ai.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria është në diskutime me grupe të mëdha ndërkombëtare për të hyrë në marrëdhënie menaxhimi në sektorin shëndetësor, duke marrë si shembull transformimin e suksesshëm të Polonisë.

Sipas Ramës, një nga propozimet kryesore lidhet me Spitalin “Nënë Tereza”, ku sugjerohet ndërtimi i një strukture private brenda spitalit publik. Ai shpjegoi se kjo do t’u jepte mundësi mjekëve të bëhen pjesë e menaxhimit dhe të përfitojnë të ardhura në bazë të performancës.

“Është kyçe që të ndërtohet brenda spitalit një spital privat për mjekët e spitalit dhe të jetë pjesë e sistemit të punës së tyre, në mënyrë që ta kemi spitalin si vendin ku janë bashkëpronarë dhe të kenë një kapacitet të ardhurash sipas performancës”, u shpreh Rama.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›