Rama me fermerët në Lushnjë, prezanton program të ri mbështetës: Kredi deri në 2 mln euro dhe lehtësi fiskale

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama zhvilloi një bashkëbisedim me fermerët në Lushnjë, ku prezantoi masa të reja mbështetëse për sektorin bujqësor.
Ai njoftoi se në fund të prillit do të lançohet një program i ri, i cili do të përfshijë të gjithë sektorët prodhues. Sipas tij, përmes këtij programi bankat do të ofrojnë financim deri në 2 milionë euro për fermerët dhe sipërmarrësit, ndërsa qeveria do të mbështesë me mekanizmin e garancisë.
“ Jo vetëm rimbursimi, jo vetëm programi me BE, por edhe një tjetër program shumë domethënës, të cilën do e lancojmë në fund të prillit, i cili prek të gjithë sektorët prodhues. Bankat do të japin mbështetje deri në 2 milionë euro. Bujrum bëni planin dhe keni deri në 2 milionë euro mbështetje. Qeveria do të hyjë edhe me mekanizmin e garancisë. Qeverinë e keni nga mbrapa. Kemi konstatuar faktin që tashmë në Shqipëri, ka realitete të vogla prodhuese, që mund të kthehen të mëdha”, tha Rama.
Për kryeministrin Rama, vetëm përmes bashkimit në prodhim dhe treg, fermerët mund të arrijnë përfitime konkrete, duke përmendur dhe një rritje prej 30% të të ardhurave si rezultat i bashkëpunimit.
“Për të gjithë ata që e shohin bujqësinë si mundësinë e tyre për të ndërtuar jetën dhe mirëqenien, biem dakord që nuk është paraja çështja jonë kryesore, është që të kuptojmë saktësisht se çfarë duhet të bëjmë me paranë për të ecur përpara në ndërmarrjen tonë. Koha nuk pret, kemi kohë që flasim. Vetëm duke u bashkuar, secili fiton 30% më shumë, është një llogari e bërë. 30% më shumë fitohet vetëm duke u bashkuar. Vetëm në prodhim, bashkë në shitje”, tha Rama.
Kreu i qeverisë foli për negociatat për Bashkimin Europian, duke mohuar në mënyrë kategorike se janë bllokuar.
“Nuk është bllokuar asgjë, e keni dëgjuar ambasadorin. Një pjesë e tyre që i thonë këto, i dinë si janë, por janë të ligj, i përbuzin shqiptarët, mendojnë se u ka mbetur ora te “toka e nxanun” dhe “merrni armët”. Nuk e dinë që shqiptarët janë shumë më përpara sesa gazetarët dhe politikanët dhe nuk e dinë që japin ujë në bisht të lugës. I marrin për budallenj, i trajtojnë për mish për top dhe thonë se u bllokuan; nuk u bllokua gjë, sepse janë negociata dhe ato janë bisedime”, tha ai.
Ndalur tek heqja e naftës pa taksë, Rama tha se jo të gjithë përfituesit e kësaj skeme ishin ata që e meritonin, duke shtuar se këtë skemë nuk e ka as BE.
/rtsh.al/