E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama me shtabin elektoral në Kamzë: Duam shumicë solide për të vijuar pa luhatje drejt BE

TIRANË, 9 prill/ATSH/ Kryeministri, njëherazi kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama dhe bashkëdrejtuesja politike e Qarkut të Tiranës të PS, Elisa Spiropali, zhvilluan një takim me shtabin elektoral në Kamzë.

Takimi u çel nga bashkëdrejtuesja politike e Qarkut të Tiranës për PS, Elisa Spiropali. Ajo prezantoi strukturat dhe ekipin me të cilin punon. Në takim e pranishme ishte dhe deputetja socialiste Lindita Nikolla. Ish-kryetarja e Kuvendit tha se në shtabin elektoral të Kamzës ka më shumë vajza e gra sesa burra.

Po ashtu i pranishëm në takim ishte dhe kryetari i bashkisë së Kamzës, Rakip Suli. “Kamza do t’i japë mesazh Shqipërisë që ka burra e gra që dinë të votojnë”, u shpreh ai.

Rama vlerësoi transformimin e Kamzës nën drejtimin e kryebashkiakut Rakip Suli.

“Ku jam këtu, ku më sollën?, thashë kur zbrita nga makina. Janë bërë goxha ndryshime në Kamëz. Madje më tha Rakipi, që janë rritur dhe çmimet e apartamenteve nga rritja e kërkesave”, tha Rama.

“Ne i kemi të gjitha mundësitë që të jemi më mirë se në vitin 2021, – tha Rama. – Duam shumicë solide për të vijuar procesin e negociatave pa luhatje fare. Kjo është kryesorja. Dhe kjo teoria se “s’ka ndonjë problem” është çmenduri, ka shumë problem. Sot reputacioni i vendit është në nivelin më të lartë që ka qenë ndonjëherë dhe ky është fakt dhe kjo lidhet me qeverinë, një qeveri që ka reputacion. ky është fakt. Të gjitha institucionet që punojnë me ne na respektojnë maksimalisht, çka s’ka ndodhur ndonjëherë më parë.”

“Nuk mund të luajmë me këtë. Dhe sikur të bënim me forca të panjohura, nuk ka kohë për rotacion, pasi rrezikojmë të humbim trenin. Ndërkohë, forcat që kemi përballë janë të njohura për të gjithë dhe janë të diskredituara fare. Të mendosh “bufin” që shfaqet si i pari jashtë kufirit të Shqipërisë është e paimagjinueshme për si e shohin të tjerët”, theksoi Rama.

“Ne kemi skuadrën më të mirë që kemi patur ndonjëherë, skuadrën më të re, pa diskutim. Është skuadra më e re në fushë. Ka shumë mundësi të zgjedhësh dhe shumica janë të rinj. Por, ka dhe eksperiencën brenda, që të tjerët nuk e kanë. Ato që thonë që janë parti të reja, shansin më të madh e kanë të nxjerrin dy-tri kokrra, por çfarë do të bëjnë, asgjë të re. Beteja është mes nesh dhe kënetës në fund të ditës. Duhet t’i japim një goditje shumë domethënëse dhe i kemi të gjitha mundësitë”, tha Rama.

Rama tha se në këto zgjedhje do t’i fitojnë edhe në Kavajë, ndërsa vlerësoi punën e drejtueses politike Elisa Spiropali.

“Kamzën ne e përdorëm si shembull në Shkodër, Elisa këtë punë bën, vjen, sjell frymën e suksesit; edhe Elisa e merr suksesin shkon në një vend tjetër çon frymën dhe thotë: “Siç e bëmë në Kamëz do ta bëjmë edhe në Shkodër”. Dhe tani ka shkuar në Kavajë, mbajeni mend çfarë po them tani, do të fitojë edhe në Kavajë”, tha Rama.

“Këto punë nuk bëhen vetëm dhe një nga gjërat kryesore që përcaktojnë suksesin e një lideri janë njerëzit që arrin të vendosë në punët që janë kyçe, por edhe vlerësimin që u bën njerëzve që janë në punët dytësore, tretësore, katërsore, që duken si të parëndësishme, por të gjitha bashkë krijojnë frymën, krijojnë skuadrën”, u shpreh Rama.

Rama takim me strukturat në Kamzë 1 nga 8

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›