E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama ndan foto nga Kështjella e Rozafës, mbi lumin Buna

TIRANË, 28 gusht /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga Kështjella e Rozafës, mbi lumin Buna në Shkodër.

Tashmë e ndriçuar edhe gjatë mbrëmjes dhe e mirëmbajtur, kalaja tërheq vizitorë në çdo stinë.

Kalaja e Shkodrës, e njohur ndryshe si Kalaja e Rozafës, është një prej kështjellave më të rëndësishme të Shqipërisë dhe objekti kryesor turistik në qytetin e Shkodrës. Ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit, e rrethuar prej ujërave të lumenjve Bunë, Drin dhe Kir. Mbi faqet e pjerrëta të kodrës ngrihen muret rrethuese, të cilat zënë një sipërfaqe rreth 9 hektarë tokë.

Sipërfaqja e brendshme e kalasë ndahet nga muret e tre oborreve, me porta mes tyre. Oborri i tretë, i cili është më i vogël se të tjerët, ndodhet në pjesën më të lartë të kodrës. Në muret dalës të tij, ka të dala drejtkëndëshe që zëvendësojnë kullat, ndërsa në murin e jashtëm, kullat janë më të dendura. Brenda kështjellës ka disa ambiente që lidhen me një kullë rrethore, një depo si dhe një godinë trekatëshe të kohës veneciane. Oborri i dytë zë pjesën qendrore dhe më të madhe të kalasë, duke u ndarë nga oborri i parë me një mur tërthor pa kulla.

Kalaja e Shkodrës është një nga destinacionet më të rëndësishme turistike, e cila është vlerësuar jo vetëm nga historianët e kohës, por dhe nga udhëtarët e shumtë, jo vetëm për historinë që mbart, por dhe si një monument i rëndësishëm i promovimit të vlerave të një populli, i cili ka një histori të hershme.

/gj.m//r.e//a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›