Rama ndan foto nga liqeni i Tiranës

TIRANË, 11 gusht /ATSH/ Parku i liqenit të Tiranës vazhdon të mbetet një nga zonat më të frekuentuara nga qytetarët, duke ofruar një peizazh magjepsës në çdo stinë të vitit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga perëndimi i diellit, i cili ka “përflakur” liqenin e Tiranës.
Parku i madh i liqenit të Tiranës përfaqëson masivin më të madh të gjelbërimit në Tiranë dhe përmbush nevojat e popullsisë për pushim, argëtim, sport dhe aktivitet fizik në natyrë për të gjitha grup-moshat.
Sipërfaqja e parkut të madh përbëhet nga një masiv kodrinor me shpate me pjerrësi të vogël. Në pjesën jugore formohet pasqyra ujore e liqenit artificial, që me shtrirjen e tij krijon gjire e gadishuj të vegjël shumë piktoreskë.
Parku i madh i liqenit filloi të ndërtohet në vitet ’50-të. Në vitin 1955 u krijua liqeni artificial nga ujërat përreth, si dhe u ndërtua me punë vullnetare një digë 400 m e gjatë, e cila i pengon ujërat të vërshojnë drejt Tiranës.
Në vitin 1957-1958 filloi mbjellja e bimësisë dekorative, si dhe ndërtimi i infrastrukturës së parkut.
/m.q/r.e/