Rama ndan momente nga fjalimi falënderues pas fitores së zgjedhjeve parlamentare të 11 majit

TIRANË, 14 maj/ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama mbajti sot në sheshin “Skënderbej” një fjalim falënderues për qytetarët shqiptarë pas fitores së zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Në një postim në rrjetet sociale Rama ndau momente nga ky takim falënderues ku morën pjesë qytetarë, simpatizantë të Partisë Socialiste, si dhe drejtues të kësaj force politike.
Në fjalën e tij Rama tha se “mes dritës së yjeve të Europës dhe errësirës së gropës së një kapeleje ‘fake’ Shqipëria zgjodhi yjet, mes ngjitjes së vështirë në majë dhe rënies symbyllur në humnerë Shqipëria zgjodhi ngjitjen“.
“Kjo është një fitore historike dhe mbi të gjitha për momentin historik kur kjo fitore mori jetë për Shqipërinë, duke ju referuar rrugëtimit të vendit në integrimin në Bashkimin Europian”, theksoi Rama.
Rama falënderoi anëtarët e Partisë Socialiste për punën e bërë për fitoren e zgjedhjeve.
“Nuk ka fjalë të mjaftueshme për t’i falënderuar dhjetëra e dhjetëra, mijëra gra dhe burra vajza dhe djem të familjes sonë të madhe politike që 4 vite me radhe e shtruan me përpjekje durim dhe disiplinë në çdo territor të Shqipërisë dhe së fundmi për 9 muaj pa pushim edhe në çdo drejtim jashtë kufijve ku jetojnë shqiptarët rrugën e kësaj fitoreje të paharrueshme”, tha Rama.
Gjithashtu kryeministri Rama theksoi se “mandati që ne po mbyllim ishte deri tani mandati më i fortë qeverisës i një partie politike qysh prej 1992. Ndërsa që ky sapo na kanë dhënë shqiptarët do të jetë një mandat politikisht po aq i fortë sa ai i atij viti kthese në historinë politike të Shqipërisë pikërisht më 1992. Ne do të bëjmë të pamundurën që ta bëjmë edhe një mandat po aq domethënës edhe historikisht duke i mbyllur brenda vitit 2027 negociatat për anëtarësimin Shqipërisë në BE dhe duke vendosur karrigen e Shqip në tryezën europiane në vitin 2030”.
/k.s/a.f/