Rama ndan momente nga takimet e sotme: Bashkë për Shqipërinë 2030

TIRANË, 28 prill/ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama mori pjesë sot në disa takime elektorale, në nënshkrimin e një marrëveshje të rëndësishme në fushën e mjekësisë si dhe në prezantimin e projektit për rigjallërimin e ish-Uzinës së Autotraktorëve.
Rama ndau në rrjetet sociale momente nga këto takime të zhvilluara në kuadër të fushatës zgjedhore të zgjedhjeve të 11 majit.
“Sot bashkë për Shqipërinë 2030”, shkruan Rama.
I pranishëm në nënshkrimin e marrëveshjes mes Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë dhe Universitetit të Mjekësisë për shërbimin shëndetësor me qendrën spitalore universitare të ekselencës europiane “San Raffaele” dhe universitetin përkatës “Vita – Salute San Raffaele” të Milanos (Itali), Rama e cilësoi këtë marrëveshjeje një moment historik për shëndetësinë shqiptare, madje edhe për vetë vendin.
“Ambicia është ta bëjmë këtë qendër spitalore pikën e referimit për të gjithë Ballkanin dhe ta kthejmë në një qendër ekselence mes qendrave të ekselencave të Europës”, tha Rama.
Gjatë ditës së sotme kryeministri Rama mori pjesë gjithashtu në prezantimin e projektit për rigjallërimin e Ish-Uzinës së Autotraktorëve, të cilën e vlerësoi një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv për Forcat e Armatosura, ekonominë tonë kombëtare dhe komunitetin e zonës.
Po ashtu Rama zhvilloi takime elektorale me socialistët në Petrelë, Tiranë, si dhe me të rinjtë në kryeqytet.
Në këto takime Rama u ndal tek zhvillimi ekonomik i vendit, si dhe tek pasaporta europiane e Shqipërisë, duke theksuar se “kjo pasaportë i jep mundësinë çdo shqiptari që të jetë i barabartë me qytetarin e BE-së”.
/k.s/j.p/