E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama ndan pamje nga plazhi i Shëngjinit

TIRANË, 29 qershor /ATSH/ Plazhi i Shëngjinit mbetet një nga destinacionet e preferuara për vendasit, por edhe për turistët e huaj.

Kryeministri Edi Rama, përmes një albumi fotografish ka treguar se plazhi i Shëngjinit është frekuentuar këtë fundjavë, nga pushues të të gjitha moshave, që duket se kanë preferuar të shijojnë temperaturat e larta dhe të lahen në det.

Moti i ngrohtë, plazhet e pastra dhe qetësia kanë bërë që njerëzit të “arratisen” nga zhurma e qytetit, për të shijuar disa orë në bregdet për një xhiro, e pse jo, edhe për t’u larë.

Lezha ofron për turistët mundësinë të shijojnë jo vetëm bregdetin, por edhe historinë, natyrën si dhe kulinarinë e pasur të zonës, duke e bërë një destinacion për turizëm gjithëvjetor. Turistët kanë mundësi zgjedhjeje të larmishme në Lezhë, pasi janë të shumta aktivitetet ditore.

Vizitorët mund të zgjedhin peshkim në det apo në grykëderdhjen e lumit Drin, vrojtim shpendësh në lagunat e Kunes e Vainit. Për vizitorët janë ndërtuar tri kulla vrojtimi, një në Kune dhe dy në zonën e Vainit. Ato shërbejnë për të eksploruar zonën si dhe për të vrojtuar shpendët e shumtë.

Të eksplorosh lagunat e Kunes dhe Vainit për biodiversitetin e tyre, natyrën tërheqëse e çlodhëse është mundësi e mirë edhe për piknik, apo për të shijuar kuzhinën e zonës.

Turistët mund të udhëtojnë me skafe drejt “Ranës së Hedhun” për të parë një eksperiencë ndryshe të një prej plazheve më të bukur shqiptarë.

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›