E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama ndan pamjet, plazhi i Shëngjinit i mbushur me turistë

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Plazhi i Shëngjinit mbetet një nga destinacionet e preferuara për vendasit, por edhe për turistët e huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga bregdeti i Shëngjinit këtë sezon turistik, i mbushur me pushues të të gjitha grupmoshave që shijojnë bregdetin gjatë këtij sezoni veror.

Shëngjini dhe Lezha vitet e fundit janë shndërruar në destinacione turistike shumë të kërkuara ku gjen plazhin, natyrën, historinë, kulturën, gastronominë, traditën dhe shpirtin mikpritës të banorëve.

Plazhet e Shëngjinit janë të njohura për rërën dhe ujin e ngrohtë. Një nga plazhet që tërheq vëmendjen e pushuesve është ai i “Ranës së hedhun”, por edhe plazhet e Kunes dhe Tales.

Ndërthurja e turizmit bregdetar me atë historik e natyror dhe kulinaria e pasur e bëjnë Lezhën një destinacion për turizëm gjithëvjetor.

Vizitorët mund të zgjedhin peshkim në det apo në grykëderdhjen e lumit Drin, vrojtim shpendësh në lagunat e Kunes e Vainit. Për vizitorët janë ndërtuar tri kulla vrojtimi, një në Kune dhe dy në zonën e Vainit. Ato shërbejnë për të eksploruar zonën si dhe për të vrojtuar shpendët e shumtë.

Të eksplorosh lagunat e Kunes dhe Vainit për biodiversitetin e tyre, natyrën tërheqëse e çlodhëse është mundësi e mirë edhe për piknik, apo për të shijuar kuzhinën e zonës.

Turistët mund të udhëtojnë me skafe drejt “Ranës së Hedhun” për të parë një eksperiencë ndryshe të një prej plazheve më të bukur shqiptarë.

/e.i//a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›