E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama në Hagë, takon senatorët e grupit vëzhgues për NATO-n në Senatin Amerikan

Nga Haga ku po merr pjesë në Samitin e Aleancës Euroatlantike, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me senatorët e grupit vëzhgues për NATO-n në Senatin Amerikan.

Kreu i qeverisë ka ndarë pamje nga takimi në rrjetin e tij social Facebook.

Më herët, Rama u takua me shefin e NATO-s, Mark Rutte. Ai zbuloi detaje nga takimi lidhur me investimet e reja të NATO-s në Shqipëri.

“Kënaqësi të takoja Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s dhe mikun e çmuar, Mark Rutte, me të cilin folëm për angazhimet e Samitit, Ballkanin Perëndimor, investimin madhor për Portin e Ri të Durrësit, ku NATO do të angazhohet për terminalin ushtarak, e po ashtu edhe për përgatitjet e Samitit 2027 në Tiranë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shoqërohet në këtë takim nga Ministri i Jashtëm Igli Hasani, ai i Mbrojtjes Pirro Vëngu, drejtoresha e SHISH Vlora Hyseni dhe Arben Kingji, Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Në këtë Samit  pritet të arrihet një marrëveshje për rritjen e  investimeve në  mbrojtje dhe për të konfirmuar mbështetjen afatgjatë për Ukrainën, ndërsa të pranishëm pritet të jenë rreth  6,000 përfaqësues dhe udhëheqës kryesorë të shteteve anëtare, përfshirë Presidentin e SHBA-së Donald Trump, Presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrin britanik Keir Starmer.

Fokusi  pritet të jetë kërkesa e kreut të Shtëpisë së Bardhë ndaj Aleancës për  rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në pesë përqind të produktit të brendshëm bruto.

Megjithatë, vëmendja është zhvendosur pjesërisht nga vendimi i Trump për të kryer sulme ajrore në tre vende të pasurimit te uraniumit në Iran.

Në vitin 2027 Shqipëria pritet të jetë vendi organizator i samitit të NATO-s./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›