Rama në OKB: Duhet marrëveshje ndërkombëtare për një inteligjencë artificiale sovrane e demokratike

TIRANË, 25 shtator/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama bëri sot thirrje për një marrëveshje ndërkombëtare për një inteligjencë artificiale sovrane e demokratike.
Në fjalën e mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, Rama tha se sot liria e fjalës kërcënohet po kështu nga përdorimi si armë i lirisë së shpërndarjes.
“Qytetarët duhet të dinë kur përmbajtja politike me ndikim është gjeneruar artificialisht apo është manipuluar në përmbajtjen e saj. Së dyti, arkitektura e shpërndarjes duhet të bëhet transparente. Qytetarët dhe shtetet duhet të kenë mundësi të dinë kush e krijoi, financoi, kush e shënjestroi apo amplifikoi artificialisht përmbajtjen politike me ndikim”, tha Rama.
Po ashtu, Kryeministri theksoi se çdo përdorim me ndikim i inteligjencës artificiale nga një institucion publik duhet të ruajë një zinxhir të qartë llogaridhënieje njerëzore ligjore.
“Demokracitë duhet të krijojnë një sistem të përbashkët paralajmërimi të hershëm në mënyrë që të dhënat e manipulimit të drejtuar nga inteligjenca artificiale të mund të rrugëtojnë midis të gjitha vendeve me mendësi të njëjtë po aq shpejt sa dhe vetë manipulimi. Vendet më të vogla nuk duhet të braktisen jashtë kësaj arkitekture mbrojtëse”, shtoi Rama.
Sovraniteti digjital, sipas tij, “nuk mund të jetë një privilegj edhe një herë rezervuar për shtetet më të pasura”.
“Gënjeshtrat udhëtojnë pa viza. Gënjeshtrat nuk duan t’ia dinë për mure, për kontrolle kufiri. Algoritmet i kapërcejnë kufijtë pa pasur nevojë për ndonjë pasaportë e pa frikën e ndonjë lloj qeverie. Ata që të sulmojnë vendet tona, bashkëpunojmë tashmë përtej juridiksioneve. Vendet tona, së pari, mbi të gjitha duhet të mësojnë të bëjnë të njëjtën gjë”, tha Rama.
Sipas tij, “kjo nuk është në fund të fundit një garë midis njerëzimit dhe makinave, por është një garë midis qëllimeve të ndryshme njerëzore”.
Po ashtu, Rama deklaroi se nuk mund të mbrohet liria e shprehjes duke e lënë kontrollin e shpërndarjes krejt në terr.
“Për shekuj të tërë, kërcënimi më i madh ndaj lirisë së fjalës ishte censura. Fjala është e drejta për të shprehur një ide. Shpërndarja është fuqia për ta vënë këtë ide përpara miliona njerëzve. Fjala i përket qenies njerëzore. Shpërndarja mund të blihet, të automatizohet, të manipulohet dhe të caktohet fshehtësisht nga platformat, korporatat, rrjetet kriminale dhe shtetet e huaja”, tha Rama.
Sipas tij, “e drejta për të folur është universale, por nuk ka një të drejtë universale për shpërndarjen anonime të pakufizuar dhe të amplifikuar artificialisht”.
“Kur një gënjeshtër shumëfishohet miliarda herë, e vërteta nuk ka nevojë më të censurohet, sepse thjesht varroset. Qytetari mbetet formalisht i lirë të flasë, por flet në një stuhi që asnjë zë njerëzor nuk mund ta përballojë. Liria e fjalës për rrjedhojë mund të pësojë disfatë pa ndaluar asnjë libër të vetëm, pa burgosur asnjë gazetar të vetëm e pa fshirë as edhe një postim të vetëm”, u shpreh Rama.
Ndaj Rama theksoi se përgjigjja për amplifikimin e fshehtë e industrial duhet të jetë ekspozim e duhet të bëhet më herët sesa vonë.
“Kush e krijoi mesazhin? Kush pagoi për të? U shpërnda nga njerëzit apo nga makinat? Pse u shënjestrua qytetari? A ishte reagimi i dukshëm publik origjinal i koordinuar apo i drejtuar nga jashtë? Të mbrosh demokracinë e të mbrosh një mënyrë jetë e lirinë e secilit komb për të jetuar në mënyrën e vetë nuk do të thotë të kontrollosh se çfarë lejohet njerëzit të mendojnë, nënkupton të shpërfaqësh fuqitë e fshehura që kërkojnë të kontroll atë çfarë njerëzit detyrohen të shohin”, shtoi ai.
Në këtë drejtim, Rama tha se disa kërkojnë që inteligjenca artificiale të ndalet apo të ngadalësohet.
“Ne jemi shumë të vegjël, por me shumë respekt nuk do të biem dakord. Një pauzë nga demokracitë nuk do të sjellë pauzë nga diktaturat. Një moratorium respektuar nga shtete të përgjegjshme nuk do të kufizojë fuqitë armiqësore, rrjetet ndërkombëtare kriminale apo industritë e manipulimit. Ne nuk mund të rregullojmë veten tonë deri në pafuqi. Për këtë pyetje thelbësore strategjike, presidenti Donald Trump ka të drejtë. Nuk duhet të ndalemi, duhet të përshpejtojmë, por përshpejtimi duhet të ketë një drejtim”, shtoi ai.
Ndaj Rama tha se duhet një inteligjencë artificiale që është e verifikueshme, transparente dhe llogaridhënëse e ndërtuar nga shoqëri të lira, ndarë mes aleatësh dhe vënë në shërbim të qytetarëve.
“Një inteligjencë sovrane artificiale nuk do të thotë izolim. Do të thotë që asnjë vend të mos jetë i pafuqishëm përpara sistemeve që nuk mund të kuptojë, të kontrollojë apo t’i pranojë. Çdo vend duhet të jetë i aftë të mbrojë gjuhën e vetë, komunikimet autentike, të autentifikojë komunikimet publike, të zbulojë manipulimet e koordinuara, të ruajë të dhënat e të informojë qytetarët e vetë pa u varur krejtësisht nga përparësitë tregtare të një korporate të largët”, shtoi Rama.
/r.e/a.f/