E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama në kantierin e shëtitores së re të Tushemishtit: Rrit vlerën e pronës dhe fuqinë tërheqëse të Pogradecit turistik


TIRANË, 19 prill/ATSH-Maela Marini/ Shëtitorja e re në Tushemisht, një ndër projektet më të rëndësishme infrastrukturore për zhvillimin turistik të Pogradecit, po i afrohet përfundimit.

Projekti është pjesë e një qasjeje gjithëpërfshirëse për të rritur cilësinë e jetës për banorët dhe për të fuqizuar pozicionin e qytetit si një nga destinacionet kryesore turistike në vend.

Në kantier ishte i pranishëm sot për të parë nga afër punimet Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit Dritan Agolli, si dhe kryebashkiaku i Pogradecit Ilir Xhakolli.

“Shëtitorja e Tushemishtit është tashmë në fazën përfundimtare të punimeve. Ky projekt është në vijimësi të ndërhyrjeve transformuese në zonë, së bashku me ato të realizuara në pjesën e Drilonit në bashkëpunim me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimeve. Veçanti e këtij projekti janë 58 ndriçues inteligjentë të pajisur me sensorë ajri, kamera sigurie dhe ekrane informuese me prekje për turistët”, u shpreh drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli.

Projekti përfshin gjithashtu rehabilitimin e rrugës ngjitur me Doganën e Tushemishtit, e cila tashmë është transformuar në një hapësirë të përbashkët për automjete dhe biçikleta, duke lidhur shëtitoren me pikën kufitare drejt Maqedonisë së Veriut.

“Kjo ndërhyrje e re është jo vetëm estetike, por edhe funksionale. Krijon kushte të reja për zhvillimin e bizneseve, rrit vlerën e hoteleve dhe pasurive të patundshme. Mbetet të përfundojnë detajet, për t’i dhënë qytetit një atraksion të ri të denjë për potencialin e tij”, theksoi Kryeministri.

Ndërkohë, kryetari i bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli konfirmoi se shëtitorja, me një gjatësi prej 1,1 kilometra, do të jetë pjesë e një rrjeti më të gjerë turistik që do të lidhë qendrën urbane me Drilonin.

1 nga 7

/m.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›