Rama për Al Jazeera: Resorti në Zvërnec është një bekim për Shqipërinë, protestat nuk do ta ndalin projektin

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se investimi miliardë dollarësh që parashikohet të realizohet në Zvërnec është një mundësi e madhe zhvillimi për vendin dhe se protestat e ditëve të fundit nuk kanë vënë asnjëherë në pikëpyetje realizimin e projektit.
Në një intervistë për median Al Jazeera, Rama e cilësoi resortin si “një bekim për Shqipërinë”, duke theksuar se bëhet fjalë për një investim privat me vlerë rreth 4 miliardë dollarë nga vëllezërit arabë Al-Khayyat Brothers.
Sipas kreut të qeverisë, projekti nuk ka qenë asnjëherë në rrezik pezullimi, pavarësisht protestave që prej nëntë ditësh zhvillohen para Kryeministrisë.
“Ky është një bekim për vendin. Një investim prej 4 miliardë eurosh në një vend që ka një Prodhim të Brendshëm Bruto rreth 27 miliardë euro, flet vetë. Nuk ka qenë kurrë në pikëpyetje nëse ky projekt do të ecte përpara apo jo”, deklaroi Rama.
Duke iu përgjigjur akuzave të protestuesve se qeveria po “shet Shqipërinë”, kryeministri mohoi çdo përfshirje të drejtpërdrejtë të shtetit në marrëveshje. Ai theksoi se toka ku parashikohet investimi është pronë private dhe jo pasuri publike.
“Bëhet fjalë për pronë private. Nuk është tokë publike që qeveria shqiptare po e jep apo po e shet. Kjo është një shprehje interesi e bazuar në një marrëveshje private mes palëve private, me të cilën qeveria shqiptare nuk ka asnjë lidhje”, u shpreh ai.
Deklaratat e Ramës vijnë në një kohë kur kundërshtimi ndaj projektit në Zvërnec ka sjellë protesta të vazhdueshme në Tiranë dhe në qytete të tjera, ku qytetarë dhe aktivistë kërkojnë anulimin e investimit, duke argumentuar se ai cenon një nga zonat më të rëndësishme natyrore të vendit.