“Rama përdori forcën e kartonëve për t’i dhënë 4.3 mln euro Kanye West”

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sulmuar ashpër qeverinë e Edi Ramës, duke akuzuar kryeministrin se ka përdorur shumicën parlamentare për të miratuar vendime në favor të oligarkëve dhe interesave private.
Në një deklaratë për mediat, Berisha u ndal te vendimi për financimin e koncertit të Kanye West, duke pretenduar se qeveria përdori paratë e qytetarëve shqiptarë për t’ia dhënë një miliarderi.
“Edi Rama përdori kartonët e tij për të votuar në parlament dhuratën e parave që u grabiti pensionistëve dhe qytetarëve shqiptarë, për t’ia dhuruar miliarderit Kanye West”, u shpreh Berisha, duke e cilësuar koncertin si një përpjekje për të zbehur protestën qytetare që vijon prej javësh.
Sipas kreut të PD-së, qeveria ka përdorur edhe dhunë ndaj protestuesve paqësorë, duke akuzuar policinë për përdorim të lëndëve kimike dhe mjeteve të rënda gjatë përballjeve me qytetarët.
“E trajtoi protestën si një llogore lufte, duke përdorur dhunë policore, por dallgët e kësaj lëvizjeje jo vetëm që nuk po shuhen, por po bëhen gjithnjë e më tronditëse për Edi Ramën dhe regjimin e tij”, deklaroi Berisha.
Berisha iu referua edhe deklaratave të Ramës për luftën kundër korrupsionit, duke thënë se ato janë të pavërteta dhe se historia e tranzicionit shqiptar ka pasur zyrtarë të lartë të dënuar për korrupsion.