Rama publikon fotoalbumin e javës

TIRANË, 1 shkurt /ATSh/ Kryeministri Edi Rama publikoi sot fotoalbumin me momentet kryesore të aktiviteteve të tij gjatë javës.
Gjatë kësaj jave, kreu i qeverisë zhvilloi vizitë pune në Izrael, në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit. Në këtë vizitë, kryeministri u shoqërua edhe bashkëshortja e tij, Linda Rama dhe delegacioni zyrtar.
Ndalesa e parë e Kryeministrit Rama ishte në Nova Site, një vend simbolik i kthyer në hapësirë reflektimi pas ngjarjeve tragjike nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023. Më pas, Rama u prit në takim nga Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.
Gjithashtu, Rama gjatë vizitës së tij në Izrael u prit nga kryetari i Knessetit (Parlamentit të Izraelit) Amir Ohana në Knesset Plaza me një ceremoni të posaçme si dhe iu adresuar parlamentit.
Kreu i Qeverisë, mori pjesën në aktivitetin e organizuar nga AIDA, ku u prezantua platforma “Export ON”, e cila do të merret me matjen e indikatorëve të punës së përditshme të kompanive eksportuese dhe çdo vit do të publikojë raportin e vet mbi lëvizjen e volumit eksportues.
Gjatë javës, Kryeministri Rama mbajti fjalën e tij edhe në aktivitetin e organizuar për përzgjedhjen e kompanive arkitekturore fituese me projektet e Shtëpisë së Fëmijëve dhe Kompleksit të Inspektorateve Shtetërore.
Njëherësh, Rama mori pjesë në ekspozitën “Spaces in Dialogue” e çelur në COD (Qendra për Hapje dhe Dialog), një ekspozitë që sjell në vëmendje hapësirat, arkitekturën, kujtesën dhe përjetimin njerëzor.
Kreu i Ekzekutivit, mori pjesë edhe në një dëgjesë publike me fermerët në Divjakë për Skemën Kombëtare 2026. Rama u shpreh se fermerët duhet të orientohen drejt mundësive të pashfrytëzuara të financimit.
/e.i/j.p/