E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama publikon pamje nga rrugë të shembura në Portugali: Ka ndodhur i njëjti fenomen si në Librazhd-Përrenjas

Çudi e madhe, në Portugali ka ndodhur kjo nga të njëjtat fenomene, po s’po e marr vesh se mirë opozita portugeze është në gjumë, mirë edhe ato pak tenxhere mediatike të Portugalisë janë me temperaturë të ulët e s’ka vend për gjithë këtë rrugë të re, po si ka mundësi që opozitat e… pic.twitter.com/oiTWQlv3Lr

— Edi Rama (@ediramaal) February 25, 2026

TIRANË, 25 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot në lidhje me akuzat e opozitës për shkakun e shembjes së aksi Librazhd-Përrenjas, në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë publikoi pamje nga shembja e disa rrugëve si pasojë e rrëshqitjeve të tokës në Portugali, duke i krahasuar me akuzat e opozitës në lidhje me infrastrukturën në vend.

Në reagimin e tij, Rama shkruan: “Çudi e madhe, në Portugali ka ndodhur kjo nga të njëjtat fenomene, po s’po e marr vesh se mirë opozita portugeze është në gjumë, mirë edhe ato pak tenxhere mediatike të Portugalisë janë me temperaturë të ulët e s’ka vend për gjithë këtë rrugë të re”, teksa shtoi se “si ka mundësi që opozitat e këtushme nuk e kanë denoncuar akoma në SPAK këtë vepër të korrupsionit”.

Ai vijon më tej me ironi duke theksuar se “si është e mundur që 700 tenxheret e flakta të mexhelisit tonë mediatik, nuk kanë thirrur gjithollogët e tyre që të jashtënxjerrin faktet e tmerrshme që fshihen nën asfaltin e këtij korrupsioni qeveritar, ku pa dyshim është dora e narkoshtetit shqiptar!”.

Stuhitë që goditën bashkinë e Torres Vedras shkaktuan dëme të rënda në infrastrukturën publike në Portugali.

Kujtojmë se sot nisi puna për stabilizimin e rrëshqitjes së tokës në aksin Librazhd-Përrenjas, veçanërisht në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”.

Ndërhyrja ka filluar në përputhje me planin e masave të miratuara dhe ka për qëllim stabilizimin e segmentit të dëmtuar të rrugës, si dhe rikthimin e qarkullimit normal.

Strukturat teknike, mjete dhe punëtorë janë angazhuar në terren për të përballuar pasojat e rrëshqitjes dhe për të siguruar rikonstruksionin e shtratit të lumit.

/m.q/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›