Rama publikon video nga largimi i varrezave të makinave: Do transformohen në projekte për komunitetin

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se operacioni kombëtar për largimin e varrezave të makinave është në zhvillim e sipër, me qëllim pastrimin e hapësirave publike dhe kthimin e tyre në shërbim të komunitetit.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Rama solli pamje të një varreze automjetesh të amortizuara nga “Vlora Turistike”.
“Më në fund, falë angazhimit të Agjencisë së Aseteve të Sekuestruara, i erdhi fundi edhe varrezave të “provave” që na nxinë jetën dhe nuk kishte zot që i shkulte nga kthetrat e burokracisë, duke grumbulluar për 30 e kusur vite në çdo bashki qendër qarku të Shqipërisë sasira të frikshme teneqerash e ndryshqesh; vatra ndotjeje të madhe që do t’ia lenë vendin gjelbërimit a projekteve të dobishme për komunitetin,” deklaroi Rama, duke shtuar se automjetet ende të përdorshme do t’i kalojnë institucioneve shtetërore.
Ai theksoi se këto hapësira do të pastrohen dhe do t’i kthehen komunitetit për gjelbërim ose projekte të dobishme publike.
Pak ditë më parë, Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se në qytetin e Shkodrës, një zonë që për 30 vite ishte shndërruar në pikë grumbullimi të automjeteve të vjetra, që sikurse ai e quajti një “parking i madh ndotjeje” po transformohet në një hapësirë të re për jetën komunitare.
Kujtojmë se gjatë një takimi për reformën në Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, Kryeministri Rama e cilësoi situatën e varrezave të makinave si “tërësisht primitive”.
/rtsh.al/