E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama takim me sipërmarrës në Berat: Siguria ushqimore, sfida kryesore për integrimin në BE

Në një takim me sipërmarrës të përpunimit të vajit të ullirit në Berat kryeministri Edi Rama ka theksuar se duhet të nisë puna për vendosjen e standardeve të Bashkimit Evropian për sigurinë ushqimore.

Ai u ndal për rritjen e pagave në bujqësi, investimet, lehtësimin e taksave dhe skemat e tjera mbështetëse për këtë sektor, Rama vuri në dukje se një nga sfidat kryesore të Shqipërisë për t’u integruar në Bashkimin Evropian është edhe siguria ushqimore.

“Ne kemi patjetër domosdoshmërinë që të bëhemi pjesë e Bashkimit Europian për 1001 arsye, por duhet të jemi të vetëdijshëm që janë 1001 sfida dhe një nga sfidat më të vështira të futjes atje, është siguria ushqimore, që do të thotë që duke u bërë pjesë e Bashkimit Europian, nuk është më çështja që ti nuk e eksporton dot diçka që nuk është në parametrat e sigurisë së atij vendi atje, po ti nuk e shet dot as këtu.

Ka ardhur një inspektim nga Bashkimi Europian për pjesën më delikate të gjithë kësaj fushe që është, që është pjesa e prodhimeve nga gjëja e gjallë, pra bulmetrave dhe mishit dhe janë 900 e ca pika në Shqipëri që trajtojnë këtë pjesë të fushës së bujqësisë dhe zhvillimit rural.

Dhe kanë lënë një sërë rekomandimesh; nga kategoria që duhet të bëjë disa përmirësime për të arritur standardet, tek kategoria që është larg standardeve, por që ka mundësi t’i arrijë duke bërë investimet domethënëse dhe te kategoria që sipas tyre duhet hequr fare nga lista dhe unë besoj shumë që dhe këtë diskutojmë shpesh dhe mes nesh, që shqiptarët kanë një aftësi të jashtëzakonshme për t’u adaptuar edhe që do t’i rezistojnë kësaj dallge, por ama duhet filluar tani puna për të qenë të qartë se çfarë do Bashkimi Europian”, deklaroi kryeministri Edi Rama.

Ndërkaq, nga ana e tij, ministri i Bujqësisë, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla vuri në dukje rëndësinë e modelit të bashkëpunimit bujqësor të ndërtuar në Berat, duke e cilësuar atë si një shembull konkret për t’u shtrirë në të gjithë vendin.

“Është një model që kemi krijuar me bashkinë e Beratit dhe me fermerët e përpunuesit e vajit të ullirit, të cilin do ta zgjerojmë në të gjithë territorin, në mënyrë që të krijojmë një ekonomi më të madhe bashkëpunimi mes fermerëve,” theksoi Salla.

Sipas ministrit të Bujqësisë, mbështetja për sektorin do të vijojë përmes skemave kombëtare dhe fondeve të agro-përpunimit, si dhe përmes programeve të Bashkimit Europian.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›