Rama takim me socialistët e Tiranës: Jemi forcë e pandalshme, mirënjohje çdo aktivisti të familjes sonë të madhe

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, ka zhvilluar një takim festiv me strukturat drejtuese, anëtarët dhe aktivistët e PS-së në qarkun e Tiranës, në prag të ndërrimit të viteve.
Atmosfera festive shërbeu si moment falënderimi për punën e bërë gjatë vitit. Në fjalën e tij përshëndetëse, kreu i qeverisë vlerësoi angazhimin e strukturave, duke e cilësuar Partinë Socialiste si një “familje të madhe” dhe një “forcë të pandalshme”.
“Me mirënjohje për çdo anëtar dhe aktivist të familjes së madhe të Partisë Socialiste dhe me besimin e patundur tek forca jonë e pandalshme përpara, uroj nga zemra shëndet e mbarësi për çdo familje të vogël të secilës dhe secilit prej jush,”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Gjatë takimit, Rama veçoi tri kategori për të ngritur dolli, duke vënë theksin te baza e partisë dhe te roli i grave.
“Dua të bëj një shëndet shumë të ndjerë dhe vëllazëror për të gjitha familjet tuaja. Të dytin dua ta bëj për të gjitha vajzat dhe gratë që janë këtu. Dhe shëndetin e tretë, dua ta ngre për të gjitha ata që janë mbështetës, pra jo për ata që janë në vijën e parë, por për ata që janë në vijën e dytë, në vijën e tretë, që janë kryetarë të organizatave,”, theksoi Rama.
Në takim e mori fjalën edhe Drejtuesja Politike e PS-së për Qarkun e Tiranës, Ogerta Manastirliu, e cila përcolli mesazhe për vitin që po troket.
“Sot është një moment për të uruar njëri-tjetrin një vit sa më të mbarë dhe për të uruar qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, për një vit plot me shpresë, me energji, me besim, se e nesërmja dhe Viti i Ri patjetër do të jetë një vit shumë i mirë dhe më e mira është gjithmonë përpara,”, tha ajo në fjalën e saj.
/rtsh.al/