E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama uron besimtarët bektashinj në Ditën e Sulltan Nevruzit


TIRANË, 22 mars/ATSH/ Besimtarët bektashinj kremtojnë sot Ditën e Sulltan Nevruzit, ditëlindjen e Imam Aliut.

Në këtë ditë të shenjtë, kryeministri Edi Rama uroi të gjithë besimtarët bektashinj.

“Urime për Ditën e Sulltan Nevruzit nga Teqeja e Helvetive, në Berat ndër më të bukurat në Ballkan, ku qetësia dhe harmonia janë besim”, u shpreh Rama,

Festa e Sulltan Nevruzit shënon fillimin e vitit të ri, sipas sektit bektashian dhe përkon me ditëlindjen e Imam Aliut në Qabe.

Kjo ditë cilësohet në mbarë botën aleviane si dita e fisnikërisë bektashiane dhe dita e ringjalljes së madhe.

Në Shqipëri Dita e Sulltan Novruzit, festa më e rëndësishme e bektashizmit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996.

Në vendin tonë sekti i bektashinjve, është i vendosur kryesisht në jug të vendit, ndërkohë që ai ka një shtrirje të konsiderueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Bektashinjtë janë të përhapur në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, ku krahas sunitëve ata përbëjnë popullsinë shqiptare të besimit mysliman.

Përfaqësuesit e bektashizmit kanë dhënë një ndihmë të madhe në çështjen kombëtare, duke filluar që nga periudha e Rilindjes Kombëtare, Pavarësisë dhe gjatë luftës për Çlirim.

/r.e/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›