Rama vijon mbledhjen e zgjeruar me grupin parlamentar dhe qeverinë, në fokus shërbimet, projektet dhe integrimi europian

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, po zhvillon këtë të shtunë një mbledhje të zgjeruar me grupin parlamentar socialist dhe kabinetin qeveritar.
Takimi, që po mbahet në Pallatin e Brigadave, ka në qendër përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, avancimin e projekteve prioritare për zhvillimin e vendit si dhe procesin e integrimit europian, i cili mbetet një nga objektivat kryesore të qeverisë.
Kryeministri Edi Rama ka dhënë udhëzime për nisjen e një turi takimesh në të gjithë vendin, i cili do të zhvillohet nën moton “Punët për Shqipërinë” dhe që do të nisi së shpejti.
RTSH mëson se ky tur takimesh, që ka si qëllim forcimin e komunikimit me qytetarët dhe dhënien e llogarisë për premtimet e realizuara, do të zgjasë dy muaj, duke kulmuar me 35-vjetorin e krijimit të Partisë Socialiste.
Takimi nisi në orën 11:00 dhe po mbahet në Pallatin e Brigadave.
Sipas raportimit të RTSH, fokusi kryesor i mbledhjes pritet të jetë ajo për çështjen e integrimit europian për të vijuar më pas me tematika te ndryshmetë si Kadastra dhe Reforma Territoriale.
Në këtë kuadër, do të flasin drejtoresha e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, kryetari i Komisionit të Reformës Territoriale, Arbjan Mazniku, si dhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili.
Kjo është mbledhja e parë e përbashkët mes qeverisë dhe grupit parlamentar socialist pas Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, e zhvilluar javën e kaluar në Durrës.
Mbledhja e sotme po zhvillohet me dyer të mbyllura në Pallatin e Brigadave.
/rtsh.al/