Ramaj: Strategjia e SPAK për të hetuar krimet elektorale ka dhënë efekt te grupet kriminale! Muça: 3-5 vite burg nëse fotografoni votën

SPAK publikoi më 20 shkurt strategjinë e parandalimit të krimeve elektorale. Kreu i këtij institucioni, Altin Dumani tha se grupet e hetimit do jenë në terren gjatë fushatës zgjedhore.
“Hetimi do të kryhet në dispozicion të ligjit, as nuk jemi anë e asnjë partie politike”, tha kreu i SPAK.
Avokati Redi Ramaj, i ftuar në “Quo Vadis” në Vizion Plus me Pranvera Borakaj tha se kjo strategji ka pasur efekt në terren dhe ka dhënë efekt te grupet kriminale, të cilat angazhohen në fushatë për të mbledhur vota për një parti të caktuar.
Ramaj: Vetëm fakti që ka nxjerrë një strategji SPAK për të luftuar krimet zgjedhore ka dhënë efekt në terren, ka dhënë efekt te grupet kriminale. Ka pasur një bashkëpunim mes Prokurorisë së Posaçme, Prokurorisë së Përgjithshme dhe hetimet që po vijojnë do japin rezultat afër zgjedhjeve nëse do ketë ndikime të forta për të ndërhyrë te rezultati i zgjedhjeve. Penalitete që mund të marrin janë të larta për sa i përket krimeve zgjedhore.
Antuela Male, eksperte zgjedhore, KRIIK (Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara) tha se përdorimi i shtetit dhe burimeve shtetërore mbetet një nga problematikat kryesore gjatë fushatës elektorale.
Male: Problematika e përdorimit të shtetit dhe burimeve shtetërore në fushatën elektorale është problematika kryesore në zgjedhjet në Shqipëri. Janë gjëra që influencojnë, intimodojnë. Rrjetet sociale janë quajtur sheshe publike nga komisioneri për mbikëqyrjen e shërbimit civil. Në momentin që bën një status në Facebook është njësoj sikur ke dalë në shesh dhe po shpreh pëlqimet e tua politke, sipas ligjit këta shtetas nuk duhet ta bëjnë një veprim të tillë.
Ndërsa gazetari Flogert Muça tha se fotografimi i votës, i cili mesa duket është kthyer në trend në rrjetet sociale nga emigrantët, të cilët kanë marrë fletët e votimit, mund të dënohet me 3-5 vite burg.
Muça: Fotografimi që është kthyer në një trend në rrjetet sociale. 3-5 vjet kush fotografon votën. Ata persona duhet të kenë parasysh diçka, që në momentin që e nxjerrin votën në rrjete sociale dhe ata mbikëqyren nga një patronazhist, i cili i merr ato vota dhe i çon te SPAK, kur të kthehen në Shqipëri, të gjithë ata persona mund të kenë pasoja me ligjin.
Pranvera Borakaj: Çfarë ndodh me emigrantët që fotografojnë votën?
Male: Nëse SPAK krijon një komunikim me institucionet e tjera në këto shtete mund të fillojë një hetim dhe mund të procedohet, çështja nuk është kaq e lehtë sa sikur të ishte në Shqipëri.
Ramaj: Vepra penale i shtrin efektet në Shqipëri. Është e vështirë sepse duhet bashkëpunim me autoritet aje por nuk mund të abuzohet me fshehtësinë e votës./vizionplus.tv