E Diel, 1 Nëntor 2026

Raouna: Shqipëria përfundoi me sukses piketat e “Themeloreve”

TIRANË, 26 maj /ATSH/ Pas përfundimit sot të Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE, zëvendësministrja për Çështjet Europiane të Qipros, Marilena Raouna, vlerësoi progresin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar se vendi ka përmbushur me sukses piketat e ndërmjetme për grupkapitullin e Themeloreve.

Gjatë një konference të përbashkët për mediet, së bashku me kryeministrin Edi Rama dhe komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos, Raouna u shpreh se Këshilli ka vlerësuar përparimin e Shqipërisë bazuar në raportin e Komisionit Evropian për piketat e ndërmjetme, duke e cilësuar këtë zhvillim si një arritje domethënëse dhe një dëshmi të përpjekjeve të qëndrueshme për reforma.

Sipas saj, ky zhvillim i hap rrugën Shqipërisë për të ecur përpara në procesin e anëtarësimit në BE dhe për të nisur, në momentin e përmbushjes së kushteve të tjera, mbylljen provizore të kapitujve negociues.

“Gjatë presidencës së Qipros, Këshilli ka vlerësuar përparimin e Shqipërisë për grupkapitullin e Themeloreve mbështetur në raportin e vlerësimit të Piketave të Ndërmjetme të Komisionit Evropian dhe në vijim të këtij vlerësimi konferenca sot e anëtarësimit doli në përfundimin se Shqipëria ka përfunduar me sukses piketat e ndërmjetme për grupkapitullin e Themeloreve. Kjo është një arritje vërtetë domethënëse dhe një vlerësim i rëndësishëm i përpjekjeve të qëndrueshme për reformat të Shqipërisë  dhe angazhimit politik nga Shqipëria në rrugëtimin e saj evropian. Ky gur kilometrik e lejon Shqipërinë të ecë përpara në procesin e anëtarësimit dhe në momentin kur të plotësohen kushtet përkatëse ne të nisim të mbyllim provizorisht kapitujt. E kemi thënë hera-herës që zgjerimi është një përparësi strategjike për presidencën e Qipros dhe që ne do të jepnim rezultate, dhe është pikërisht ajo çfarë po bëjmë sot”.

Ajo theksoi se “ne besojmë thellësisht te zgjerimi si një prej politikave më transformuese të Bashkimit Evropian dhe jemi, për rrjedhojë, veçanërisht të kënaqur që procesi i anëtarësimit të Shqipërisë po ecën përpara në mënyrë vendimtare dhe të përhershme në përputhje të plotë me qasjen bazuar në meritë të BE-së me vlerësim rigoroz e të drejtë dhe me kushtëzim rigoroz të drejtë”,

Ajo përgëzoi qeverinë shqiptare, institucionet dhe qytetarët për përkushtimin në zbatimin e reformave, duke e cilësuar procesin e integrimit si sfidues, por të rëndësishëm dhe transformues.

“Konferenca e sotme po kështu është edhe një shenjë e angazhimit tonë të palëkundur për të ardhmen evopiane të Ballkan Perëndimor në tërësi. Do të doja të përgëzoja qeverinë shqiptare, autoritetet, institucionet dhe qytetarët për përkushtimin dhe vendosmërinë e tyre për të çuar përpara reformat, reformat e vështira. E dimë që procesi i anëtarësimit është një rrugëtim i mundimshëm, por një rrugëtim që ia vlen dhe që kanë dëshmuar një angazhim kaq të qartë ndaj një të ardhmeje të përbashkët evropiane. Në të njëjtën kohë konferenca e sotme shënon fillimin e një faze të re, ndoshta edhe më sfiduese, kërkuese, të procesit të anëtarësimit, sepse grupkapitulli i Themeloreve mbetet në themel të negociatave”, tha ajo.

Sipas saj, faza e re e negociatave do të jetë edhe më kërkuese, pasi progresi nuk matet vetëm me miratimin e ligjeve dhe reformave, por me zbatimin e tyre efektiv dhe me rezultate të prekshme e të qëndrueshme, veçanërisht në forcimin e shtetit të së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe garantimin e të drejtave themelore.

“Progresi në këtë fazë nuk matet vetëm me miratimin e reformave apo të legjislacionit, por gjithmonë e më tepër me zbatimin e tyre efektiv, me një bilanc të konsoliduar dhe të besueshëm dhe nga rezultate të prekshme të cilat janë të qëndrueshme dhe të pakthyeshme. Kjo nënkupton përpjekje të vazhdueshme për të forcuar shtetin e së drejtës, për të garantuar në pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, për të mbrojtur të drejtat themelore, për të përfshij të drejtat e personave që u përkasin pakicave dhe për të garantuar që institucionet demokratike të funksionojnë efektivisht dhe me transparencë”, tha Raouna.

Sipas saj, Bashkimi Evropian pret me padurim për të vazhduar këtë vrull reformash nga Shqipëria me të njëjtën vendosmëri që e ka sjellë Shqipërinë në këtë gur kilometrik të rëndësishëm sot.

“Në këtë drejtim, arritja e sotme përfaqëson si vlerësimin e përparimit që është bërë, si dhe nisjen e fazës tjetër. Komisioni Evropian mbetet tërësisht i përkushtuar ta mbështesë Shqipërinë përgjatë procesit dhe presidenca e Qipros do të vazhdojë të punojë deri ditën e fundit të presidencës së vet me të njëjtin përkushtim dhe me të njëjtën shpejtësi. Konferenca e sotme dëshmon edhe një herë që politika e zgjerimit jep rezultate konkrete, ku reformat nga partnerët për zgjerimin ndiqen me vendosmëri, transparencë e besueshmëri”, tha ajo.

/m.q/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›