Raporti i Bordit të Paqes: Hamasi pengesa kryesore për fazën e dytë të armëpushimit në Gaza

Pavarësisht armëpushimit të tetorit, Gaza mbetet e përfshirë nga dhuna e përditshme, me ushtrinë izraelite dhe Hamasin që akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të marrëveshjes.
Në raportin e tij të parë drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Bordi i Paqes, i krijuar nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump në janar 2026, fajëson Hamasin si “pengesën kryesore” për kalimin në fazën e dytë të armëpushimit.
Raporti, i cili do të prezantohet nga përfaqësuesi i lartë Nickolay Mladenov, thekson se Hamasi refuzon çmontimin e verifikuar të armëve, heqjen dorë nga kontrolli shtrëngues dhe lehtësimin e një tranzicioni civil në Gaza.
“Institucionet, burimet dhe planet janë në vend për të ndërmarrë hapat e mëtejshëm”, thuhet në dokument, por renditja e tyre do të varet nga vendimet e palëve- thuhet në një kopje të raportit të parë nga agjencia e lajmeve AFP.
Raporti paralajmëron se shkeljet e armëpushimit ndodhin pothuajse çdo ditë, duke sjellë pasoja të rënda për civilët, pengesa për aksesin humanitar dhe një klimë frike të vazhdueshme.
Administrata Trump, së bashku me Katarin dhe Egjiptin, negocioi armëpushimin për t’i dhënë fund dy viteve luftë mes Izraelit dhe Hamasit.
Faza e parë pa lirimin e pengjeve të fundit të kapur në tetor 2023 në këmbim të të burgosurve palestinezë. Faza e dytë, e cila parashikon çarmatimin e Hamasit, tërheqjen graduale të forcave izraelite dhe vendosjen e një force ndërkombëtare stabilizimi, është bllokuar prej javësh.
Raporti nënvizon se çarmatimi i Hamasit është “kritik për fillimin e rindërtimit, për një tërheqje të forcave izraelite të përcaktuara në kohë dhe për ndjekjen e një rruge të besueshme drejt vetëvendosjes dhe shtetësisë palestineze”.
Gaza mbetet e shkatërruar, me civilë të vrarë dhe familje që jetojnë nën frikë të përhershme. Vëmendja ndërkombëtare është zhvendosur pjesërisht drejt krizës në Iran dhe Ngushticën e Hormuzit, por raporti i Bordit të Paqes rikthen fokusin te nevoja për zbatimin e plotë të marrëveshjes.
/rtsh.al/