E Hënë, 2 Nëntor 2026

Raporti i OSBE/ODIHR, Berisha: Në kushtet e partisë-shtet s’mund të ketë zgjedhje të tjera përveçse farsë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas publikimit të raportit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e fundit, duke e cilësuar dokumentin si një “vërtetim zyrtar të farsës elektorale” që, sipas tij, është zhvilluar nën kontrollin e plotë të qeverisë.

Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se raporti “fakton qartë” përdorimin e administratës publike, fondeve shtetërore dhe strukturave kriminale për blerjen dhe manipulimin e votës.

“Në kushtet e partisë shtet kurrë nuk mund të ketë zgjedhje të tjera përveçse farsë. Edi Rama i ka shndërruar punonjësit e administratës në patronë të urryer të shqiptarëve për votën“, deklaroi Berisha.

Duke iu referuar raportit të ODIHR, Berisha renditi një sërë elementesh që, sipas tij, tregojnë deformimin e procesit zgjedhor.

“Faktohet se janë përdorur bonuse dhe dhurata për votën, 100 euro për pensionistët, falja e gjobave me vlerë 200 milionë euro për votë, si dhe 500 milionë euro prokurime publike të dhëna në kundërshtim me ligjin për të blerë vota. Janë dhënë 138 licenca për 28 mijë hektarë tokë me kanabis, është përdorur punësimi i përkohshëm në mijëra raste për të ndikuar në zgjedhje, ndërsa punonjësit e administratës janë vënë nën presion dhe terror politik”, u shpreh ai.

Berisha shtoi se raporti thekson se “linjat ndarëse midis partisë dhe shtetit janë shuar”, duke e përshkruar situatën si “tipike për regjimet autoritare”.

Kreu i opozitës u shpreh se raporti përbën një dëshmi ndërkombëtare të deformimit të demokracisë në Shqipëri, duke e cilësuar vendin si “një diktaturë autoritare që kontrollon votën e shqiptarëve”.

“Faktohet angazhimi i karteleve të drogës dhe bandave në një sërë qytetesh për të rrëmbyer votën. Në raport thuhet qartë: po të mos ishin këto praktika, zgjedhjet do të ishin më afër standardeve të lira. Pra, jemi shumë larg, në Siberi të zgjedhjeve të lira”, ironizoi Berisha.

Në përfundim të deklaratës, ai akuzoi Kryeministrin Rama për “përdorim të pushtetit për qëllime elektorale” dhe i bëri thirrje institucioneve ndërkombëtare të “mos heshtin përballë një regjimi që kontrollon votën dhe vullnetin e qytetarëve”.

Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, vlerësoi se procesi ishte konkurrues dhe i mirëmenaxhuar, por i zhvilluar në një mjedis shumë të polarizuar dhe me mungesë mundësish të barabarta mes kandidatëve.

Megjithatë OSBE/ODIHR thekson se kuadri ligjor ka mangësi të rëndësishme dhe kërkojnë të adresohen për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, ku përfshihet përmirësimi i administratës zgjedhore, transparenca e financimit të fushatës dhe garantimi e lirisë së medias. Këto mangësi, thekson raporti, tregon mungesën e vullnetit politik për reforma.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›