E Martë, 3 Nëntor 2026

Raporti i PE për Shqipërinë, reagon Kryeministria: E mirëpresim, konfirmon mbështetjen për zgjerimin e BE!

Kryeministria e ka cilësuar raportin e Parlamentit Europian për Shqipërinë, si konfirmin i mbështetjes për zgjerimin e BE.

Kryeministria deklaron se raporti njeh progresin e Shqipërisë në përmbushjen e kushteve për përparimin me grupkapitujt.

‘Parlamenti Evropian mirëpret progresin e shpejtë të Shqipërisë në vitet e fundit: “Shqipëria, partner i fortë dhe i besueshëm…’’. Pas miratimit, më datë 4 qershor 2025 nga Komisioni i Marrëdhënieve me Jashtë (AFET), tashmë dhe Parlamenti Evropian miratoi, në seancën plenare të datës 9 Korrik, në Strasburg, Raportin mbi ecurinë e progresin e Shqipërisë për vitet 2023 dhe 2024. Raporti përbën një vlerësim të rëndësishëm politik dhe institucional të progresit të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe konfirmon mbështetjen e gjerë që procesi i zgjerimit gëzon në Parlamentin Evropian.

Qeveria mirëpret raportin e Parlamentit Evropian, vlerëson rolin e tij konstruktiv dhe mbështetës të rrugës evropiane të Shqipërisë, dhe falënderon eurodeputetët për ndjekjen me vëmendje të zhvillimeve në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit.  Në mënyrë të veçantë, ajo shpreh vlerësim për Raportuesin për Shqipërinë, Andreas Scheider, për angazhimin e njëmendtë, qasjen objektive dhe të balancuar ndaj arritjeve dhe sfidave që kemi përpara dhe rekomandimeve për veprim’, thuhet në njoftim.

Kryeministria vlerëson gjuhën inkurajuese për reformat dhe arritjet e Shqipërisë

‘Qeveria vlerëson gjuhën inkurajuese të Raportit, si dhe pasqyrimin e qartë të progresit me reformat dhe arritjet e Shqipërisë, në dy vitet e fundit. Ky Raport vjen në një moment të rëndësishëm historik, teksa Shqipëria po avancon me vendosmëri në rrugën e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe me reformat për të forcuar më tej demokracinë, shtetin e së drejtës, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, qeverisjen e mirë, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, modernizimin e administratës publike, lirinë e medias dhe rritjen ekonomike të Shqipërisë.

Raporti i Parlamentit Evropian vjen vetëm një ditë pas raportit të publikuar nga Komisioni Evropian mbi Shtetin e së Drejtës, i cili vlerëson progresin e Shqipërisë në forcimin e institucioneve kyçe të sundimit të ligjit dhe në reformat e rëndësishme në drejtësi dhe të luftës kundër korrupsionit e modernizimit të qeverisjes. Raporti njeh progresin që Shqipëria ka bërë në përmbushjen e kushteve për hapjen e negociatave dhe përparimin në grupet e kapitujve të negociatave dhe fton institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare të ruajnë një qasje të bazuar në merita, të drejtë dhe të parashikueshme ndaj Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor’, thotë Kryeministria.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›