Raspadori kthehet në Itali, Atalanta e Gjimshitit e rrëmben për 25 milionë euro

“Dea” ka vepruar me shpejtësi për të mbyllur blerjen përfundimtare të sulmuesit, i cili do të lërë Atletico Madrid dhe do të bëhet shok skuadre me mbrojtësin e Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti.
Telenovela “Raspadori” duket se ka marrë fund. Lojtari italian ishte objektiv i klubeve të ndryshme të Serie A dhe më afër dukej Roma, që ngulmoi deri në fund, por me sa duket, pa sukses. Sulmuesi do të firmosë për Atalantën dhe marrëveshja do të mbyllet për 25 milionë euro.
Për të bindur Raspadorin ishte formula e operacionit, pasi ai nuk donte të pranonte një huazim pa pasur siguri te Roma. Kjo e fundit do ta blinte vetëm nëse do të arrinte të kualifikohej në Champions League.
Me ardhjen e Raspadorit, Atalanta duhet të bëjë ndonjë shitje dhe më e mundshmja është ajo e Lookman te Fenerbahçe. Daniel Maldini është në orbitën e Juventus dhe Lazio, që gjithashtu pëlqen edhe Samardzic.