E Diel, 1 Nëntor 2026

Reagimi i Gjermanisë ndaj luftës hibride të Rusisë

Rusia po zgjeron sulmet e saj hibride me dronë, sabotim dhe dezinformim. Prandaj ekspertët gjermanë dhe politikanët paralajmërojnë se situata është serioze dhe duhet vepruar.

Kur fillon lufta? Kur fillon vërtet? Sidomos sot, në epokën digjitale të sulmeve kibernetike? “Nëse një nëndetëse ruse do të sulmonte dhe fundoste një korvetë gjermane, do ta quanit luftë”, thotë Sönke Marahrens, kolonel dhe strateg ushtarak i Bundeswehrit. “Por çfarë ndodh nëse do të futeshin pjesë metalike në ingranazhet e asaj anijeje dhe anija nuk do të ishte më funksionale: a është kjo luftë atëherë?”

Mahrarens është një ekspert për kërcënimet hibride. Në konferencën e vjeshtës të Policisë Federale Kriminale (BKA) në Wiesbaden, ai po diskuton sfidat e së ardhmes me ekspertë gjermanë dhe ndërkombëtarë të sigurisë. Skenari i tij i sabotimit të aftësive operacionale të një anijeje luftarake gjermane është real: incidenti ndodhi në janar 2025 në korvetën “Emden”, pak para se ajo të merrej në kontroll nga marina gjermane.

Evropa po përjeton një rritje të vazhdueshme të sulmeve hibride. Ushtria, policia, politikanët dhe shkencëtarët paralajmërojnë në një konferencë sigurie: situata është serioze.

Alarmi është unanim. “Po shohim një përshkallëzim intensiv të situatës”, përmbledh Silke Wilms, nënkryetare e shërbimit të inteligjencës së brendshme të Gjermanisë.

“Gjermania është shënjestër e sulmeve hibride çdo ditë”, thekson Ministri i Brendshëm gjerman Alexander Dobrindt nga Unioni Kristiansocial (CSU).

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›