E Diel, 1 Nëntor 2026

Reagimi i ambasadës gjermane, Berisha: Protesta jonë, paqësore

TIRANE, 23 mars/ATSH/ Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se protesta e opozitës është e qëndrueshme dhe paqësore, ndërsa dhunën më të madhe ndaj qytetarëve e ka përdorur policia.

Në një konferencë për shtyp nga selia blu, i pyetur në lidhje me deklaratën e sotme të ambasadës gjermane për distancim nga dhuna gjatë protestave, Berisha deklaroi se gjatë protestës së 22 marsit disa demonstrues u plagosën nga dhuna policore, ndërsa nuk pati asnjë polic të lënduar, duke theksuar se kjo tregon qartë natyrën paqësore të kryengritjes së opozitës.

Ai shtoi se opozita mbetet e vendosur për protesta paqësore, pavarësisht kushteve të vendit që e cilësoi si një autokraci elektorale ose diktaturë autoritare.

“Në kushtet e një grushti shteti janë të ligjshme të gjitha mjetet, por ne qëndrojmë tek mjetet paqësore”, u shpreh kreu i PD-së.

“Ne qëndrojmë tek kryengritja paqësore sepse besojmë se në këtë mënyrë realizojmë më shpejt dhe më mirë qëllimet tona”, tha Berisha, duke shtuar se çdo akt dhune ndaj popullit, përfshirë pengimin e drejtësisë dhe mosndëshkimin e individëve të implikuar në skandale, përbën dhunë të tmerrshme kushtetuese.

Ai kundërshtoi gjithashtu pretendimet e qeverisë se policët ishin lënduar, duke deklaruar se kjo ishte një inskenim dhe se nuk kishte asnjë dëshmi për të vërtetuar këto pretendime. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›