E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma Zgjedhore/ Hapet rruga për Kodin e Ri, komisioni miraton me konsensus planin e punës, prioritet financimi i partive dhe vota e diasporës

Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore ka zyrtarizuar të martën nisjen e punës konkrete, duke miratuar Planin e Punës që do të çojë drejt hartimit të Kodit të Ri Zgjedhor.

Nën drejtimin e bashkëkryetarëve Damian Gjiknuri (PS) dhe Oerd Bylykbashi (PD), mbledhja e radhës u fokusua në përcaktimin e kalendarit të veprimeve dhe pikave kyçe që do të jenë objekt shqyrtimi në javët në vijim.

Kalendari dhe prioritetet, nga financimi i partive te listat

Bashkëkryetari Damian Gjiknuri prezantoi kalendarin e punimeve, duke nëvizuar se hapi i parë do të jetë hartimi i projektligjit “Për financimin e partive politike”. Më pas, agjenda do të spostohet tek thelbi i reformës: dispozitat e Kodit të Ri Zgjedhor.

Sipas planit të miratuar, tematikat kryesore përfshijnë përkufizimet dhe parimet për zgjedhjet e përgjithshme e vendore, përgatitjen e listave të zgjedhësve, regjistrimin e kandidatëve, ndarjen e zonave zgjedhore, si dhe administrimin e infrastrukturës zgjedhore.

“Çdo çështje që ka përmendur ODIHR, por dhe ato që mund të ngrenë palët në tryezë, do të jenë objekt diskutimi i këtij komisioni,” theksoi Gjiknuri. Ai shtoi se objektivi kryesor mbetet respektimi i afateve parlamentare: “Synimi është që brenda afatit të mandatit që na ka dhënë Kuvendi, ta kemi draftin të miratuar dhe dakordësuar.”

Qëndrimi i opozitës dhe ekspertiza

Nga ana tjetër, bashkëkryetari i opozitës, Oerd Bylykbashi, vuri theksin te rëndësia e një kornize të qartë kohore dhe përmbajtësore.

“Është në përgjegjësinë tonë që të vëmë një kornizë të qartë edhe sa i përket objektivave, por edhe tematikave dhe kohës kur do t’i shqyrtojmë këto,” u shpreh Bylykbashi, duke lënë të hapur mundësinë që puna të kërkojë fleksibilitet përtej afateve.

Gjatë diskutimeve, anëtarët e komisionit u ndalën gjithashtu te rekomandimet e hershme dhe aktuale të ODIHR, si dhe te çështja e ndjeshme e votës së diasporës.

Dakordësia për ekspertët

Një tjetër pikë e rëndësishme e mbledhjes ishte vendimmarrja mbi asistencën teknike. Komisioni vendosi që trupa e ekspertëve të përbëhet nga gjashtë anëtarë: tre përfaqësues të propozuar nga mazhoranca dhe tre nga opozita, duke ruajtur kështu balancën politike në hartimin e drafteve ligjore.

Mbledhja u mbyll me miratimin zyrtar të Planit të Punës, duke i hapur rrugë sesioneve teknike dhe politike për ndryshimet e ardhshme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›