Reforma Zgjedhore, caktohen 6 ekspertë, Gjiknuri: Duam konsensus. Bylykbashi: Parakusht të mos votoni në Kuvend tjetër gjë nga ajo që miratohet këtu

Komisioni i Reformës Zgjedhore u rimblodh këtë të premte, me praninë e përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës. Bashkëkryetari i komisionit, Damian Gjiknuri, theksoi se çështja kryesore që do të diskutohet është financimi i partive politike, një temë që kërkon një vëmendje të veçantë. Gjiknuri njoftoi gjithashtu se gjatë kësaj mbledhjeje u emëruan 6 ekspertët që do të asistojnë në këtë proces, 3 nga mazhoranca dhe 3 nga opozita.
“Të adresojmë çështjen e parë që ka të bëjë me financimin e partive politike. Objekti i kësaj mbledhje është emërimi i ekspertëve nga të dyja palët, janë ekspertë që përfaqësojnë një qasje të balancuar, 3 maxhoranca dhe 3 opozita. Financimi i partive politike është një çështje që kërkon vëmendje. Duam të formalizojmë sjelljen normale të partive politike. Ne kemi vendosur që të japim detyrë që të përgatitet një draft, të ndahet me anëtarët, ndaj nuk ka një draft të dakordësuar në nivel teknik”, tha Gjiknuri.
Gjithashtu, ai njoftoi se do të kërkohet asistenca e OSBE dhe se do të organizohet një tryezë konsultative me aktorët relevantë, përfshirë partitë politike, organizatat joqeveritare dhe institucionet që kanë kontribuar në çështjen e financimit të partive politike. Gjiknuri shprehu besimin se kjo tryezë do të organizohet brenda dy javësh, me qëllim që të arrihet në një draft konsensual dhe i dakordësuar nga të gjitha palët.
“Do të zhvillojmë një tryezë konsultative me OSBE, tryezë me të gjithë aktorët, partitë politike, organizatat joqeveritare, institucionet që kanë kontribuar sa i përket çështjes së financimit të partive politike. Shpresojmë ta organizojmë brenda 2 javësh. Pas kësaj tryeze jemi në gjendje të arrijmë në një konkluzion me një draft që në fund fare do të jetë i dakordësuar, konsensual. Ne këtë ligj duam ta trajtojmë në mënyrë konsensuale”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, bashkëdrejtuesi i komisionit nga PD, Oerd Bylykbashi, theksoi se një parakusht për suksesin e reformës zgjedhore është që dokumenti që do të dalë nga ky komision të miratohet me konsensus dhe të kalojë pa ndryshime në Parlament.
“Ajo që ndodhi në fundin e vitit 2025 ishte një tregues shumë i rëndësishëm se çfarë mund t’i ndodhë këtij komisioni dhe çfarë nuk duhet të ndodhë me reformën zgjedhore. Nuk duhet të përsëritet kurrsesi ajo që ndodhi në vitin 2020 dhe u përsërit me votimin e Avokatit të Popullit. Në vitin 2020 u arrit një dakordësi politike dhe më pas u prish, në parlament u votua diçka tjetër. Ky komision ka për detyrë që t’i trajtojë rekomandimet e OSBE ODIHR dhe të arrijë në vendimmarrje politike dhe të hartojë ndryshime legjislative që kërkojnë 3/5 ta bëjë këtë me konsensus. Duhet që ky Komision të marrë më të mirën e proceseve të shkuara, të lërë mënjanë të gjithë faktorët që kanë çuar në dështimi e atyre proceseve dhe një nga elementët kryesor ka qenë që ajo që është rënë dakord këtu, ajo është miratuar edhe në Kuvend dhe nuk është përmbysur apo të jetë votuar diçka tjetër. Vetëm kjo është parakusht që kjo Reformë Zgjedhore të ketë sukses, përndryshe do të ishte një imponim rregullash të njëanshme, e papranueshme, si ajo që ndodhi në vitin 2020. Kjo do të jetë korniza që na udhëheq, çdo gjë tjetër do të ishte e papranueshëm në procesin e reformës”, u shpreh ai.
/rtsh.al/