E Hënë, 2 Nëntor 2026

Reforma e medias publike në fokus, ekspertët diskutojnë pavarësinë editoriale dhe sfidat e financimit të RTSH

Reforma e medias dhe e ardhmja e transmetuesit publik në Shqipëri ishin në qendër të takimit të 16-të të grupit të punës “Promovimi i Lirisë së Shprehjes në Shqipëri përmes Dialogut të Hapur”.

Në këtë proces, ekspertë të Këshillit të Evropës po punojnë për hartimin e rekomandimeve konkrete që synojnë përafrimin e legjislacionit shqiptar me praktikat më të mira ndërkombëtare.

Në tryezë ishte e pranishme edhe Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së, Eni Vasili, e cila theksoi nevojën për më shumë mbështetje ndaj transmetuesit publik, si kusht për reformimin dhe garantimin e pavarësisë editoriale.

“Nëse ne nuk biem dakord që pjesë e reformimit është dhe ndryshimi i mënyrës si financohet dhe sa financohet media publike, do flasim për pavarësinë editoriale, ajo nuk mund të vij pa pavarësi financiare dhe për këtë flasin standardet e EBU-së”, u shpreh Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së.

Vasili u ndal edhe te politikat që mund të ndiqen në rast të një mbështetjeje më të madhe financiare për RTSH-në.

“Për mua është e domosdoshme rritja e tarifës për aparatet, se ka dhe mënyra pastaj si mund të diversifikohen shtresat në nevojë etj. Por kemi parasysh sot, një hotel me 500 dhoma, paguan njësoj sa një pensionist”, theksoi Vasili.

Kryetari i Bordit Drejtues të RTSH-së, Fation Hoxhalli, u shpreh se transformimi i transmetuesit publik kërkon bashkëpunim dhe mbështetje më të gjerë institucionale.

“Kemi krijuar një frymë besimi për të çuar përpara reformën që jo pa qëllim kemi zgjedhur ta bëjmë nën ombrellën e EBU-së.  Na duhet bashkëpunimi i qeverisë, na duhet bashkëpunimi i parlamentit dhe na duhet absolutisht bashkëpunimi i akademisë i institucioneve të tjera”, tha Kryetari i Bordit Drejtues të RTSH-së.

Në përmbyllje të takimit, profesori Marku theksoi se grupi i punës mirëpret rekomandime praktike, me synim forcimin e standardeve të medias dhe përafrimin e tyre me praktikat më të mira evropiane.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›