E Hënë, 2 Nëntor 2026

Reforma në sistemin e pensioneve, Gonxhja: Shqipëria në momentin më të mirë ekonomik që pas rënies së komunizmit! Bizneset të deklarojnë pagat

Ditën e sotme po mbahet konferenca ndërkombëtare për reformën në sistemin e pensioneve në Shqipëri.

Të pranishëm janë kryeministri Edi Rama, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja si dhe Drejtoresha e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Xiaoqing Yu.

Ministri Gonxhja tha se Shqipëria është sot në momentin më të mirë ekonomik që pas rënies së komunizmit dhe është më pranë se kurrë anëtarësimit në BE.

Ai tha se falë reformës së pensioneve të ndërmarrë në vitin 2014 nga PS, numri i kontribuesve sot është rritur dhe pa këtë reformë situata e pensioneve do të kishte shkuar shumë më keq.

Gonxhja: Në vitin 2014 kjo qeveri ndërmori reformën më të thellë dhe më domethënëse të pensioneve. Pa atë reformë situata e pensioneve do të kishte shkuar shumë më keq. Sot falë meritës kryesore të vitit 2014 që i dha fund demotivimit dhe humbjes së interesit për të kontibuuar, numri i kontribuesve është rritur me 47%. Të ardhurat nga kontributet janë rritur me 43%. Shqipëria është sot në momentin më të mirë ekonomik që pas rënies së komunizmit, vendi është më pranë se kurrë anëtarësimit në BE. Ky moment shum pozitiv i rritjes ekonomike duhet të shërbejë si një moment reflektimi që ta udhëheqim transformimin ekonomik drej një modeli që përfitojnë të gjithë.

Vitin që shkoi akorduam bonusin më të lartë të dhënë ndonjëherë. Indivdët duhet të bëjnë të vetën duke mos u strukur në një vend të sigurt me rrogë të ulët dhe ku vendet e punës shtohen edhe me qoka me paga asistence, ata duhet të punojnë në privat me një pagë që mund të jetë edhe dyfish më e lartë. Biznesi që sot ka filluar të ankohet për mungesë të fuqisë punëtore duhet tu ofrojë punëtorëve skema suplementare pensioni, por edhe të rrisë dhe deklarojë pagat.

Ministri u shpreh se biznesi duhet të rrisë dhe të deklarojë plotësisht pagat

Gonxhja: Informaliteti garanton ca cash me shumë, por shndërrohet në një gjëmë nesër. Bizneset që ankohen për taksa duhet të kuptojnë se ndërsa shteti shqiptar vjel sot nga taksat sa 27% e PBB, vendet e rajonit kanë vite që vjelin 30%. Nëse nuk rrisim të ardhurat në buxhetin e shtetit, vendet e punës me paga cilësore, gjithmonë do kemi njerëz që nuk kanë mjaftueshëm. Biznesi duhet të rrisë dhe të deklarojë plotësisht pagat./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›