Reforma sociale, hyn në fuqi ligji i ri, rrogë dhe sigurime për familjet që strehojnë fëmijët pa prindër

Parlamenti i Shqipërisë ka miratuar ndryshime rrënjësore në mënyrën se si shteti do të trajtojë fëmijët pa kujdes prindëror, duke i dhënë përparësi absolute rritjes në një mjedis familjar në vend të institucioneve.
Ligji i dekretuar nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, prezanton konceptin e “Familjes Kujdestare Profesionale”, duke e kthyer kujdesin ndaj fëmijëve në një profesion të paguar dhe të njohur nga shteti.
Çfarë parashikon ligji?
Deri më tani, kujdestaria shihej kryesisht si një akt humanitar ose detyrim i rrethit farefisnor. Ligji i ri sjell dy forma të kujdesit:
Kujdes alternativ profesional, sipas të cilit, familjet që trajnohen dhe certifikohen për të mbajtur fëmijë do të përfitojnë jo vetëm pagesë për shpenzimet e fëmijës, por edhe pagë mujore si të punësuar, duke u njohur nga njësitë vendore.
Kujdes alternativ vullnetar, i cili jepet kryesisht nga të afërmit (gjyshër, xhaxhallarë, etj.) ose persona të tjerë që shprehin vullnetin pa kërkuar statusin profesional.
Kush mund të bëhet “Familje Pritëse”?
Të gjithë qytetarët që duan të ofrojnë shtëpinë e tyre për këta fëmijë duhet të aplikojnë përmes portalit e-Albania dhe t’i nënshtrohen një kontrolli të rreptë. Kriteret kryesore përfshijnë:
Të kenë banim të përhershëm në Shqipëri dhe kushte të përshtatshme banimi.
Të mos kenë asnjë anëtar të familjes të dënuar, veçanërisht për krime seksuale.
Të kenë të ardhura të mjaftueshme.
Të kryejnë trajnimin e detyrueshëm të certifikuar.
Një familje mund të strehojë deri në 3 fëmijë njëkohësisht, përveç rasteve kur bëhet fjalë për vëllezër e motra, të cilët ligji ndalon të ndahen nga njëri-tjetri.
Fëmijët që përfitojnë, jo vetëm jetimët
Ligji i ri zgjeron rrethin e fëmijëve që do të përfitojnë nga ky shërbim, duke përfshirë:
Fëmijët e braktisur.
Fëmijët me prindër në burg.
Fëmijët e prindërve me aftësi të kufizuara të rënda që nuk mund të ofrojnë kujdes.
Fëmijët viktima të dhunës, abuzimit apo trafikimit.
Fëmijët e nënave të mitura pa mbështetje.
Monitorim për të parandaluar abuzimet
Për të shmangur çdo rrezik abuzimi brenda familjeve pritëse, ligji sanksionon një sistem monitorimi intensiv. Gjatë tre muajve të parë, punonjësit socialë do të vizitojnë familjen çdo dy javë. Më pas, monitorimi do të jetë mujor. Çdo abuzim apo neglizhencë do të sjellë heqjen e menjëhershme të fëmijës dhe ndjekje penale për familjen kujdestare.
Financimi dhe hyrja në fuqi
E gjithë skema do të financohet nga Buxheti i Shtetit dhe bashkitë. Masa e saktë e pagesave mujore pritet të përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave (VKM) në muajt në vijim. Ligji hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, duke i hapur rrugë zbatimit të tij brenda vitit 2026.
/rtsh.al/