Regjistrimi në konvikte – Kërkesa mbi kapacitet për godinën 3, ka vende të lira në godinat 24-29

TIRANË, 18 shtator /ATSH/ Rezidenca Studentore Universitare, në një deklaratë për mediet, njoftoi sot se në godinën nr. 3 kapaciteti akomodues është 61 studentë në total, të cilët strehohen në 30 dhoma dyshe dhe një vend për persona me aftësi ndryshe.
Sipas Rezidencës Studentore Universitare, aplikimet për të qëndruar në këtë konvikt kanë arritur në 300 të tilla, duke tejkaluar limitin prej 61 vendesh.
Në njoftim, thuhet që “Rezidenca Studentore u bën thirrje studentëve që të regjistrohen për t’u akomoduar në godinat 24, 25, 26, 27, 28 dhe 29 të cilat ofrojnë kushtet e nevojshme”.
Gjithashtu, bëhet me dije se 14 godina të tjera pritet të rikonstruktohen njësoj si godina nr. 3, projekt që financohet nga Banka Gjermane për Zhvillim dhe Bashkimi Evropian.
“Rezidenca Studentore Universitare Nr. 1 njofton se, gjatë ditës së sotme, u evidentua një fluks i pazakontë aplikimesh për regjistrim në Godinën Nr. 3, e cila sapo është rikonstruktuar me standarde bashkëkohore. Ky objekt ofron një kapacitet prej 61 vende (30 dhoma dyshe + 1 vend për persona me aftësi ndryshe), ndërkohë që numri i aplikantëve arriti në rreth 300 studentë, duke shkaktuar momente tensioni gjatë procesit të regjistrimit”, thuhet në njoftim.
Në njoftim, cilësohet se faza e parë e projektit ka përfunduar me rikonstruksionin e pesë godinave.
“Faza e dytë, që pritet të nisë në një periudhë të afërt, përfshin rikonstruksionin e 14 godinave të tjera.
RSU Nr. 1 siguron se kapacitetet e përgjithshme akomoduese janë të mjaftueshme për të plotësuar kërkesat e të gjithë studentëve. Aktualisht janë të disponueshme hapësira banimi në godinat 24, 25, 26, 27, 28 dhe 29, të cilat ofrojnë kushte të rregullta jetese dhe shërbimet e nevojshme për një akomodim dinjitoz”, theksohet në njoftim.
Pamje nga Rezidenca Studentore Universitare 1 nga 2/e.i/a.f/r.e/