E Diel, 1 Nëntor 2026

Rektorja e Universitetit të Elbasanit zgjidhet Presidente e BUA për 2028

TIRANË, 2 prill /ATSH/ Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” ka arritur një tjetër sukses të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare. Rektorja e këtij institucioni, Prof. Dr. Elvira Fetahu, është zgjedhur Presidente e Aleancës së Universiteteve të Ballkanit (BUA) për vitin 2028.

Lajmi është bërë publik nga faqja zyrtare e universitetit, e cila e konsideron këtë një arritje me peshë, jo vetëm për institucionin, por edhe për rolin që ai po fiton në forcimin e bashkëpunimit akademik në rajon.

Universiteti i Elbasanit është pjesë e BUA-s që prej vitit 2015 dhe në vitin 2028 do të marrë drejtimin e këtij rrjeti të rëndësishëm, i cili përfshin rreth 120 universitete anëtare nga vendet e Ballkanit. Ky fakt e bën edhe më domethënëse përfaqësimin e tij në krye të kësaj aleance.

Zgjedhja e Prof. Dr. Elvira Fetahut në këtë post të lartë shihet si një vlerësim i rëndësishëm për kontributin e universitetit në zhvillimin e marrëdhënieve ndëruniversitare dhe në promovimin e bashkëpunimit akademik rajonal.

Ky zhvillim pritet ta forcojë më tej pozicionin e Universitetit të Elbasanit në hartën e arsimit të lartë në Ballkan, duke i dhënë një rol më aktiv në vendimmarrje, në projektet e përbashkëta dhe në iniciativat akademike rajonale. Njëkohësisht, ai konsiderohet një hap pozitiv për rritjen e prestigjit të institucionit dhe zgjerimin e mundësive të bashkëpunimit me universitete të tjera në rajon.

/e.i/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›